MBAHET CIKLI I PARË I TRAJNIMEVE MBI STANDARDET MINIMALE PËR PROCESIN E KONSULTIMIT PUBLIK

Përfaqësuesit e 20 organizatave të shoqërisë civile ishin pjesëmarrës në trajnimin me temë “Standardet minimale për procesin e konsultimit publik”, i cili u organizua në prag të hyrjes në fuqi të Rregullores për standardet minimale për procesin e konsultimit publik. Kjo rregullore, e miratuar rishtazi nga Qeveria, do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2017 dhe do të rregullojë procesin e pjesëmarrjes qytetare në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave në nivel të Qeverisë.

Në mënyrë që organizatat e shoqërisë civile të njihen nga afër me këtë rregullore dhe të aftësohen për të dhënë kontribut sa më domethënës në procesin e konsultimit publik, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile do të organizojë disa seri trajnimesh mbi këtë temë. Seria e parë e trajnimeve u organizua më 14-15 dhjetor me ligjërues njohësin e fushës Visar Sutaj. Pjesëmarrësit u njohën nga afër me parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare dhe elementet praktike të kontributit të shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivel të Qeverisë. U fol po ashtu edhe rreth dokumenteve, formave dhe teknikave të konsultimeve publike sipas rregullores përkatëse. Cikli i radhës i trajnimeve për këtë vit do të vijojë javën e ardhshme. Cikle të trajnimeve mbi këtë temë do të organizohen edhe përgjatë vitit 2017, ndërsa thirrja për aplikim do të hapet në muajin janar.

Ky program i ngritjes së kapaciteteve është hartuar dhe po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile mbi bazën e Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Trajnimin mbi Standardet Minimale të Konsultimeve Publike të nënshkruar me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyres së Kryeministrit të Kosovës (ZQM/ZKM).