LIGJI I RI “ANTI-TERRORIZËM” – KUFIZIM I LIRISË SË ASOCIIMIT?

Korniza ligjore pa dyshim se përbën një element qenësor kur flasim për një ambient të favorshëm për funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Përderisa e drejta e lirisë së asociimit është kategori kushtetuese në Kosovë, si bazë ligjore për shoqërinë civile është Ligji nr.04/L-57 për Liri të Asociimit në OJQ. Për të rregulluar aspekte të ve?anta të veprimtarisë së OJQ-ve, në funksion komplementar shërbejnë një vistër ligjesh dhe aktesh të tjera nënligjore.

Funksionimin e OJQ-ve në disa dispozita e trajton edhe i ashtuquajturi “ligji anti-terrorizëm”. Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit i vitit 2010 përmbante dispozita jashtëzakonisht kufizuese për OJQ-të, të cilat ishin në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare për këtë fushë dhe pa asnjë bazë në ndonjë analizë paraprake të gjendjes në sektorin civil. Përveç tjerash, OJQ-të nuk guxonin të pranonin mbi 1,000 euro nga një burim i vetëm ose të paguanin mbi 5,000 euro te një marrës i vetëm, gjatë një dite, pa marrë leje paraprake nga Njësia për Inteligjencë Financiare e Kosovës. Kjo Njësi kishte në dispozicion 30 ditë për t’iu përgjigjur kërkesës së OJQ-ve, ndërsa mungonin kriteret mbi të cilat do të aprovohej ose refuzohej kjo kërkesë. Për më tepër, çfarëdo shkelje e këtyre dispozitave mund të çonte në mbylljen e OJQ-së, ndërsa personat përgjegjës denoheshim me 2 vite burg dhe gjoba të larta.

Me të kuptuar për këto dispozita, KCSF kishte filluar një fushatë intenzive të avokimit. Përveç analizave të shumta ligjore, KCSF kishte mobilizuar përkrahje nga një numër i OJQ-ve vendore, si dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me Qendrën Europiane për të Drejtën Jo-për-përfitim (ECNL) dhe Rrjetin Global të OJQ-ve në fushën e anti-terrorizmit “FATF Platform”.

Në maj të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin e ri për Parandalimin e Shpërlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Me avokimin e fuqishëm të KCSF-së, shumica e dispozitave kufizuese për OJQ-të u larguan, përfshirë edhe kufizimet për pranim dhe pagesë të mjeteve, kërkesën për leje dhe denimet jo-proporcionale për OJQ-të.

Përderisa KCSF do të vazhdojë të trajtojë edhe disa dispozita të mbetura që nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, suksesi i deritashëm ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e ambientit ligjor për funksionim të organizatave jo-qeveritare në Kosovë.