KOSOVA, DREJT FINALIZIMIT TË LIGJIT PËR LIRI TË ASOCIMIT NË OJQ

Miratimi nga qeveria i Projektligjit për liri të asociimit në OJQ, në dhjetor të vitit 2017, përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit shoqërisë civile dhe zhvillimit të demokracisë në Kosovë. Projektligji duhet aprovuar nga Kuvendi i Kosovës për të hyrë në zbatim, proces i cili nuk dihet ekzaktësisht se kur mund të materializohet si rrjedhojë e klimës së trazuar politike të muajve të fundit. Megjithatë, marrja e miratimit nga qeveria i çel rrugën plotësimit të legjislacionit për sektorin jofitimprurës në vend. Drafti në fjalë ndjek një seri përpjekjesh prej gati dy dekadash, për zhvillimin e kuadrit ligjor për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

Organizatat jo-qeveritare ishin ndër të parat që u rregulluan nga UNMIK-u, vetëm disa muaj pas vendosjes së këtij misioni në Kosovë. Rregullorja 1999/22 për regjistrimin dhe funksionimin e OJQ-ve, e nënshkruar në dhjetor 1999, ishte mjaft moderne për kohën. Duke synuar funksionalizimin e shpejtë të një sektori të nevojshëm për fazën e emergjencës dhe rindërtimit të Kosovës së sapo dalë nga lufta, kjo rregullore përcaktoi procedura të lehta të regjistrimit, mekanizma të butë të kontrollit shtetëror dhe një listë të gjerë të lehtësirave për organizatat me status për përfitim publik. Kjo kornizë ligjore ndikoi në rritjen e shpejtë të numrit të OJQ-ve të regjistruara dhe deri vonë u konsiderua mjaft e favorshme për veprimtarinë e sektorit joqeveritar në Kosovë. Kjo, përkundër që në vitet 2004/2005, me akte tjera, u larguan pothuajse të gjitha lehtësirat për organizatat me status për përfitim publik.

Edhe pse më i detajuar, Ligji i vitit 2009 për lirinë e asociimit në OJQ, sikurse edhe ai pasues i vitit 2011 e që është në fuqi edhe sot, në përgjithësi iu përmbajtën frymës dhe qasjes së njëjtë më rregulloren e UNMIK-ut. I vlerësuar kryesisht në pajtim me standardet ndërkombëtare të lirisë së asociimit, Ligji aktual për OJQ megjithatë doli të jetë i pamjaftueshëm për fazën aktuale të zhvillimit të sektorit në Kosovë, si dhe jo i plotë për t’i përballuar të gjitha kërkesat moderne dhe sfidat me të cilat ballafaqohen raportet shtet-OJQ. Qasja pozitive dhe e lehtë e kontrollit shtetëror në kuadër të këtij ligji u mor si shkas për përfshirjen e dispozitave shumë kufizuese për OJQ në Ligjin kundër shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Interpretimi i gabuar i dispozitave të përgjithshme u shfrytëzua nga Qeveria për të miratuar një Udhëzim Administrativ i cili lejonte suspendimin arbitrar të OJQ-ve nga Departamenti për OJQ, në mospërputhje të plotë me parimin e shqyrtimit gjyqësor në çfarëdo rasti të ndërhyrjes shtetërore në punën e një OJQ-je. Bazuar në këtë Udhëzim Administrativ, gjatë periudhës 2014-2017 Departamenti për OJQ pezulloi veprimtarinë e rreth 30 OJQ-ve të ndryshme.

Kontrolli i shtuar mbi regjistrimin dhe veprimtarinë e OJQ-ve ishte ndër arsyet kryesore të nisjes së procesit të hartimit të ligjit të ri, dhe si rrjedhojë drafti fillestar i propozuar nga Ministria e Administratës Publike përmbante dispozita mjaft kufizuese. Ndër të tjera, ky draft parashihte raportime të shtuara dhe të detajuara të punës së OJQ-ve, sikurse edhe kompetenca të gjera të Departamentit për OJQ në pezullimin ose çregjistrimin e OJQ-ve.
Paralelisht me kundërshtimin e këtyre dispozitave kufizuese, KCSF u angazhua që kjo mundësi të shfrytëzohet për avancimin e kornizës ligjore dhe përmbushjen e zbrazëtirave të identifikuara nga praktika dhe studimet parapake në këtë fushë. I gjithë kontributi u ndërtua në partneritet me Qendrën Europiane për të Drejtën Jo-për-përfitim (ECNL), një nga institucionet kryesore të ekspertizës në këtë fushë në Europë dhe më gjerë.

Duke marrë rol udhëheqës në grupin punues të themeluar nga MAP, KCSF organizoi takime individuale dhe tryeza diskutimi me aktorët e ndryshëm, përfshirë ata të institucioneve të sigurisë, me qëllim të trajtimit të brengave që lidhen me keqpërdorimin e OJQ-ve për financim të terrorizmit. Këto rezultuan me konstatimin që struktura ligjore dhe institucionale ekzistuese në këtë fushë është e mjaftueshme dhe nuk kërkon përfshirje të kufizimeve shtesë në Ligjin për OJQ. Paralelisht, KCSF propozoi përfshirjen e një numri të madh të parimeve udhëheqëse të lirisë së asociimit, të cilat bazohen në Udhëzuesin e Komisionit të Venedikut mbi lirinë e asociimit të vitit 2015. Këto parime sigurojnë qasje pozitive në kuptimin dhe trajtimin e situatave nga më të ndryshmet të punës së përditshme të OJQ-ve, duke respektuar pavarësinë e vendimmarrjes të OJQ-ve dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e shtetit dhe palëve të treta. Gjithashtu, propozimet e KCSF-së u shtrinë edhe në akomodimin e formave të reja të funksionimit të OJQ-ve, p.sh. duke propozuar institutin si formë të tretë të regjistrimit të OJQ-ve ose duke vendosur kërkesën për kapital fillestar për regjistrim të fondacioneve, për t’i dhënë kuptim konceptit të kësaj forme të regjistrimit. Në anën tjetër, KCSF kontribuoi me propozime konkrete për të thjeshtuar procedurën e regjistrimit të OJQ-ve duke larguar hapat e ngarkuar nga procesi i deritashëm dhe përgjysmuar periudhën maksimale të regjistrimit nga 60 ditë në 30 ditë. Në fund, lista ekzistuese e veprimtarive të lejueshme për Statusin për Përfitim Publik u zgjerua edhe me fusha të tjera të cilat mungonin në ligjin e deritashëm, si p.sh. mbrojtja e konsumatorit, ndihma dhe përkrahja për refugjatë, mbrojtja apo kujdesi për shtazët e lënduara apo të cenueshme, ruajtja e objekteve dhe vendeve historike apo promovimi i punës vullnetare.

Përgjatë gjithë vitit 2017, ky kontribut u dha nëpërmjet një numri të madh të takimeve të grupit punues, komenteve me shkrim, takimeve individuale dhe tryezave të diskutimit. Si rezultat, më 20 dhjetor 2017, Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për liri të asociimit në OJQ, duke ia hapur mundësinë Kuvendit të Kosovës që në pjesën e parë të vitit 2018 të shqyrtojë dhe miratojë këtë projektligj. KCSF do të vazhdojë angazhimin e njëjtë edhe në fazën e Kuvendit, sikurse edhe në aktivitetet pasuese që kontribuojnë në zbatimin e duhur të ligjit të ri.