KONTRIBUTI I KCSF-SË PËR RAPORTIN E PROGRESIT 2013

Sikurse edhe në vitet e kaluara, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka dhënë kontributin e vet me shkrim për Raportin e Progresit të Komisionit Europian të vitit 2013. Pas kontributit fillestar të dërguar në prill 2013, KCSF ka dërguar kontributin përfundimtar që mbulon zhvillimet nga fillimi i tetorit 2012 deri në fund të korrikut 2013. Në përputhje me misionin e vet, kontributi fokusohet në zhvillimet në fushën e shoqërisë civile dhe çështjet kryesore në marrëdhëniet BE – Kosovë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin rajonal. Kontributi i KCSF-së orientohet në këto kapituj të Raportit të Progresit:

2.1 Demokracia dhe sundimi i ligjit, qeverisja dhe administrata publike

2.2. Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve, të drejtat civile dhe politike

2.3 Çështjet rajonale dhe obligimet ndërkombëtare

Raporti i Progresit është instrument i Komisionit Europian drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë perspektivë anëtarësimi dhe vlerëson progresin e reformave karshi kritereve të Kopenhagës. Këto reforma vlerësohen për nga legjislacioni i aprovuar, institucionet e ndërtuara, vendimet e marra dhe veprimet konkrete nga kriteret politike, ekonomik edhe standardet europiane. Që nga viti 2007, Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë çdo vit fton për komente OShC -të për të dhënë kontributet e tyre për Raportin e Progresit në fushat ku këto organizata kanë ekspertizë.