KONSULTIMI PUBLIK: SFIDAT DHE MËSIMET E PARA PAS MIRATIMIT TË RREGULLORES

Me hyrjen në fuqi nga 1 janari 2017 të Rregullores për Standarde Minimale për procesin e konsultimit publik, Qeveria tashmë obligohet që procesin e konsultimit publik ta fillojë që nga faza e caktimit të agjendës, respektivisht përgatitjes së planeve të punës së ministrive përkatëse, ndërsa diskutimet e para me palët e jashtme t’i bëjë ende pa filluar shkrimin e drafteve të ligjeve a politikave. Pasi që projektet fillestare të jenë avancuar dhe komentuar edhe nga organet tjera qeveritare, procesi vijon me një raund të konsultimit të gjerë publik, i cili duhet t’u mundësojë qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve apo grupeve të tjera të interesit t’i japin komentet e tyre me shkrim. Në fund, institucioni propozues duhet t’u përgjigjet të gjithë atyre që kanë dhënë komente, ndër të tjerash duke ofruar arsyet për pranimin apo mos-pranimin e komenteve të tyre. Afatet minimale për të gjitha këto veprime si dhe përmbajtja e takimeve dhe dokumenteve të konsultimit, i përcaktojnë pritjet e duhura nga të dyja palët. Zbatimi i këtyre standardeve mundësohet edhe nga krijimi i një Platforme Online të konsultimit publik, ku njësitë e ndryshme të Qeverisë mund të publikojnë të gjitha dokumentet e hapura për konsultim publik, ndërsa pjesëtarët e interesuar të publikut të komentojnë drejtpërdrejtë në dokumentet përkatëse. Kjo Rregullore ishte hartuar bazuar në nismën e KCSF-së dhe propozimin e detajuar për përmbajtjen e standardeve minimale.

Konsultimi publik mbetet forma më e shpeshtë e pjesëmarrjes qytetare në nivel të hartimit të politikave dhe legjislacionit. Në të kaluarën, kjo fazë e hartimit të dokumenteve qeveritare ka prodhuar aty këtu ndonjë shembull pozitiv, por kryesisht ka qenë në thumb të kritikave si nga organizatat e shoqërisë civile ashtu edhe të raporteve ndërkombëtare që trajtojnë politikëbërjen në Kosovë. Ndër arsyet e rëndësishme për këtë ka qenë mungesa e definimit të qartë të pritjeve dhe obligimeve që duhet t’i plotësojë Qeveria për t’u konsideruar një procesi i konsultimit publik si i pranueshëm.

Duke qenë viti i parë i zbatimit, 2017 u përcoll me sfida të shumta si nga ana e Qeverisë ashtu edhe palëve të jashtme. Disa raste pozitive vetëm se dëshmuan se sa më cilësore do të mund të ishte politikëbërja në rast të zbatimit të plotë të këtyre standardeve. Po të mos ishte kjo Rregullore, rrjedhimisht Platforma Online, gazetarët dhe profesionistët që merren me lirinë e shprehjes me gjasë do ta kuptonin me vonesë që Ministria e Punëve të Brendshme synon t’i kriminalizojë lajmet e rreme, temë kjo shumë e diskutueshme dhe ende pa përgjigje edhe në shumicën e vendeve me demokraci të zhvilluar. Obligimi i Qeverisë për ta publikuar draftin e Koncept Dokumentit sa është ende në procesin e hartimit iu ka mundësuar atyre që ndikohen nga ky propozim që, duke u informuar me kohë për këtë problem, të reagojnë dhe ofrojnë argumentet e tyre në kundërshtim të kësaj nisme.

Në anën tjetër, përkundër që obligative për të gjitha dokumentet qeveritare, gjatë këtij viti jo të gjitha dokumentet e miratuara nga Qeveria u konsultuan me publikun. Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje apo Projektligji për kontrollin e brendshëm të financave publike u miratuan nga Qeveria në fund të vitit 2017, por asnjëherë nuk ishin publikuar në Platformën Online për konsultim publik. Fushat që rregullojnë këto projektligje, sikurse edhe shumë dokumente tjera qeveritare, kanë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe nuk do të duhej të kalonin pa iu dhënë rasti këtyre të fundit që të vlerësojnë dhe komentojnë përmbajtjet e tyre.

Edhe nga ato që dolën në konsultim publik, jo të gjitha i përmbushën standardet minimale. Ndër problemet kryesore doli të jetë numri shumë i ulët i Raporteve Përfundimtare të Konsultimit, e që paraqet përmbledhjen dhe raportimin publik për secilin proces. Në anën tjetër, niveli i kontributit nga palët e jashtme, përfshirë shoqërinë civile, ishte mjaft i ulët. Dokumente të shumta të hapura për konsultim ose nuk u komentuan fare, ose u komentuan vetëm nga një ose dy organizata.

E vetëdijshme që miratimi dhe hyrja në fuqi e rregullores paraqet vetëm hapin e parë drejt rritjes së sasisë dhe cilësisë së konsultimit publik, KCSF vazhdoi angazhimin e saj të drejtpërdrejtë, tashmë në sigurimin e parakushteve të nevojshme që ky sistem të funksionojë. Ishte ndër kontribuuesit kryesorë në dizajnimin e Platformës Online, e cila u lansua në shkurt 2017, si dhe përgjatë gjithë vitit përcolli funksionimin e saj dhe kërkoi trajtimin e problemeve të shfaqura. Paralelisht, të gjitha kontributet e veta me shkrim gjatë hartimit të dokumenteve me interes për KCSF-në i orientoi nëpërmjet kësaj platforme, duke synuar që komentet e KCSF-së të jenë të qasshme për të gjithë dhe të mundësojnë përcjellje të ndikimit të tyre në variantet përfundimtare të dokumenteve përkatëse.

Në anën tjetër, KCSF kishte rol aktiv edhe në ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për zbatimin e duhur të rregullores. Ndërsa ndihmoi me komentet e veta në dizajnimin e moduleve të trajnimin për shërbyes civil, KCSF mori përsipër gjithë komponentin e ngritjes së kapaciteteve të shoqërisë civile. Katër trajnime të organizuara nga KCSF në disa rajone të Kosovës njoftuan rreth 80 pjesëtarë të shoqërisë civile me kërkesat dhe mundësitë e rregullores.

Për t’u siguruar që këto standarde aplikohen horizontalisht përgjatë proceseve të ndryshme, KCSF kërkoi harmonizimin e udhëzuesve të ndryshëm që përcaktojnë mënyrën e hartimit të dokumenteve përkatëse. Komentet dhe propozimet konkrete në draftin e Udhëzuesit për hartim të Koncept Dokumenteve paraqesin vetëm një nga këto kërkesa. Ngjashëm, nëpërmjet kërkesave ndaj BE-së, KCSF ndikoi që konsultimi publik nëpërmjet respektimit të standardeve minimale të jetë kërkesë horizontale e procesit të hartimit të të gjitha dokumenteve që përfshihen në Agjendën e Reformës Europiane.

Në fund, për të siguruar informata të bazuara mbi nivelin e zbatueshmërisë së standardeve minimale, KCSF zhvilloi një metodologji të veçantë të monitorimit të konsultimit publik. Përtej standardeve minimale, kjo metodologji përcjell cilësinë e përgjithshme të konsultimit publik dhe synon që në mënyrë sistematike të identifikojë lëshimet gjatë procesit, por edhe të promovojë rastet pozitive të konsultimit publik. Së bashku me një numër të madh të organizatave partnere të saj, KCSF gjatë vitit 2018 do të monitorojë konsultimin publik në 13 ministri dhe Zyrën e Kryeministrit.

Përderisa viti 2017 shënoi suksesin e hyrjes në fuqi të një propozimi gjithëpërfshirës të KCSF-së mbi procesin e konsultimit publik, vitet pasuese do të jenë vendimtare për të siguruar që hartimi i dokumenteve qeveritare është i hapur, i informuar dhe shfrytëzon gjithë potencialin e nevojshëm shoqëror. KCSF do të vazhdojë ta luajë një rol qendror në këtë drejtim.