KONSOLIDIMI I OSHC-VE TË KOSOVËS PËRMES GRANTIT TË SIDA-S 2017

Granti nga SIDA është një përkrahje shumëvjeçar për Fondacionin Kosovar të Shoqërisë Civile (KCSF), i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), me qëllim të mbështetjes së KCSF-së në realizimin e misionit dhe strategjisë së saj.

Një e katërta e këtij grantit , është planifikuar të zbatohet përmes partnerëve, qoftë përmes granteve, përkrahjes individuale ose kontratave të shërbimeve.

Përderisa një pjesë e konsiderueshme e Grantit nga Sida shërben për të mbështetur aktivitetet e ndërmarra drejtpërdrejtë nga programet e saj, KCSF-ja synon të zgjerojë numrin e akterëve të përfshirë dhe të mbështesë projektet specifike të OSHC’ve të tjera në realizimin e strategjive të tyre programore.

Këto shfrytëzohen më pas në tri forma kryesore: Grante individuale për rrjetëzim dhe përfaqësim ndërkombëtar, grante të partnerëve si kontributi në Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe Agjendës së Reformës Evropiane (ERA) dhe kontrata për shërbime me OJQ’të për monitorimin e zbatimit të rregullores 05/2016 për standardet minimale të konsultimit publik.

Grantet për rrjetëzim dhe përfaqësim rajonal / ndërkombëtar

Me qëllim të fuqizimit të rolit të shoqërisë civile në hartimin dhe zbatimin të politikave të cilat prekin komunitetet dhe publikun e gjerë përmes promovimit të aktiviteteve të përbashkëta me partnerët, ofron përkrahje financiare për anëtarësimin të OJQ’ve në rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare dhe përfaqësimin rajonal dhe ndërkombëtar të organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë vitit 2017, në kuadër të granteve të përfaqësimit, 22 përfaqësues të OJQ’ve (lista e përfituesve) kanë përfituar pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme si konferenca, seminare, kongrese, punëtori, takime strategjike, takime të ndryshme të rrjeteve etj. Me mundësitë e dhëna për të marrë pjesë në ngjarje të tilla, për përfaqësuesit e OJQ’ve ishte përvojë e veçantë që pasuroi njohuritë e tyre rreth metodave të ndryshme të përdorura nga organizatat e tjera anembanë botës.

Sadije Kelmendi – PRO Planning

“Pjesëmarrja në seancat dhe punëtoritë në kongres kanë ngritur kapacitetet e mia dhe më kanë mundësuar lidhjen për bashkëpunim me profesionistë dhe organizata të njohura të përfshira në planifikim në mbarë botën. Pjesëmarrja ka kontribuar edhe në përmbushjen e misionit të organizatës sonë”.

Valmir Ismaili – Demokracia Plus

“Përveç pjesëmarrjes dhe diskutimeve mbi temat e lartpërmendura, si pjesëmarrës kisha mundësinë të takohem dhe të shkëmbej përvoja me përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të njohura në fushën e zgjedhjeve si IFES dhe IDEA International. Për më tepër, në këtë konferencë kam pasur rastin të shoh në praktikë se si funksionon identifikimi elektronik dhe numërimi i votave”.

Nga anëtarësimi në kuadër të granteve rajonale / ndërkombëtare, kanë përfituar 8 OJQ (lista e përfituesve). Përfitimet e organizatave që kanë fituar nga anëtarësia ishin të shumta si lidhja me anëtarët e tjerë anembanë botës, përkrahja e promovimit ndërkombëtar të organizimeve dhe anëtarëve të OJQ’ve, përkrahja e planifikimit strategjik të OJQ’ve, përkrahja e grumbullimit të fondeve në partneritete brenda rrjeteve relevante, qasja në informata unike për organizimet/aktivitetet e ardhshme dhe të ngjashme.

Përkrahja e kontributit për zbatimin e MSA / ERA

Në vazhdën e përkushtimit për të mbështetur agjendën Evropiane të Kosovës, KCSF beson që përmes përkrahjes së partnerëve të shoqërisë civile do të kontribuojë drejtpërdrejti në përforcimin e rolit të sektorit civil dhe do të shfrytëzojë potencialin për të dhënë kontributin ndaj zbatimit të MSA’së. Përveç kësaj, synohet të mobilizohet potencialin qytetar dhe të kontribuohet në agjendën Evropiane duke shfrytëzuar vlerën e shtesë që sjellin OJQ’të partnere dhe duke përfituar nga sinergjia dhe komplimentariteti me veprimet e KCSF’së.

Me qëllim të mbështetjes së organizatave partnere për t’u angazhuar në objektivin e KCSF-së, për të rritur pjesëmarrjen dhe kontributin e akterëve jo-shtetërorë në agjendën Europiane, grantet në kuadër të kësaj thirrjeje kanë për qëllim që të mbështesin angazhimin dhe kontributin e organizatave të shoqërisë civile në zbatimin e prioriteteve afatshkurtra të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe masave të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA) për Kosovën. Në këtë drejtim, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ka ftuar organizatat e shoqërisë civile që të aplikojnë me projekte-propozime që janë të hartuara për të kontribuar në trajtimin e këtyre sfidave.

Në nëntor 2017 KCSF ka shpallur thirrjen për të kontribuar në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) dhe ka kontraktuar 7 projekte. Kontributi i partnerëve të KCSF’së përfshin ngritjen e kapaciteteve, përkrahjen legjislative, monitorimin, ngritjen e vetëdijes dhe udhëzimin për eksportet ose qytetarët. Fushat përfshijnë mbrojtjen e konsumatorit, konkurrencën, bujqësinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, kulturën, tregun e brendshëm dhe qasjen në tregti, arsimin profesional dhe zhvillimin e shkathtësive. Shuma e gjithëmbarshme e përkrahjes për këto 7 organizata është afro 150,000 Euro.