KOMISIONI PARLAMENTAR PËR ADMINISTRATË PUBLIKE SHTYN PËRPARA DISPOZITAT KUNDËRKUSHTETUESE TË LIGJIT PËR OJQ

Dje, më 12 dhjetor, Komisioni Parlamentar për Administratë Publike refuzoi kërkesat e shoqërisë civile për Ligjin për liri të asociimit në OJQ, duke votuar në favor të verzionit të ligjit i cili përmban dispozita kundërkushtetuese dhe të cilat e rrezikojnë të ardhmen e sektorit jo-qeveritar në Kosovë. Kjo pas kthimit nga Zyra e Presidentit të ligjit të miratuar më 7 nëntor, bazuar në kërkesën e rreth 80 organizatave të shoqërisë civile.

Takimi u karakterizua me deklarata fyese dhe kërcënuese ndaj shoqërisë civile nga disa deputetë dhe me prezantim të pjesshëm dhe manipulues të argumenteve të shoqërisë civile nga ana e Kryetarit të Komisionit z. Nait Hasani. Përkundër elaborimit të disa deputetëve që ligji është kundërkushtetues dhe argumentet e shoqërisë civile janë të drejta, kërkesat e shoqërisë civile u rrëzuan me 5 vota kundër, 4 për dhe një abstenim. Konkretisht, votat kundër erdhën nga z. Nait Hasani (PDK), z. Milaim Zeka (Nisma Socialdemokrate), z. Adem Mikullovci (LVV), z. Imet Rrahmani (LDK) dhe z. Albert Kinolli (6+). Për rekomandimet e shoqërisë civile votuan znj. Xhevahire Izmaku (PDK), z. Rasim Selmanaj (AAK), z. Arban Abrashi (LDK) dhe znj. Shqipe Pantina (PSD), ndërsa z. Valon Ramadani (VV) abstenoi. Znj. Jasmina Živkovi? (Lista Serbe) mungoi në takim.

Pas këtij votimi në Komison, Ligji për liri të asociimit në OJQ do të dalë në seancë plenare, ku deputetët do të votojnë nëse do ta mbajnë në fuqi verzionin e aprovuar në leximin e dytë më 7 nëntor, me dispozitat kundërkushtetuese, apo të marrin parasysh argumentet e shoqërisë civile të përfshira në amandamentet e Zyrës së Presidentit.

Nëse nuk ndryshohet, Ligji për liri të asociimit në OJQ do të hyjë në fuqi me dispozita të cilat janë në kundërshtim me parimet ndërkombëtare dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 97/12 të vitit 2013 për Ligjin për Bankat. Ky ligj do të legalizojë mundësinë që kapitali i OJQ-ve të tjetërsohet dhe t’i kalojë edhe institucioneve private, mundësi kjo e paprecedent në Europë dhe më gjerë dhe në kundërshtim të parimit bazë jo-për-përfitim. Gjithashtu i krijon hapësirë shtetit që të mbyllë OJQ-të bazuar në interpretime arbitrare të aktivitetit të OJQ-ve, si dhe e vështirëson dukshëm themelimin dhe regjistrimit të OJQ-ve dhe cënon Statusin për Përfitim Publik.

Organizatat e shoqërisë civile do të vazhdojnë takimet me shefat e grupeve parlamentare dhe deputetët individual, për t’u kërkuar atyre që vendimin e tyre në seancë plenare ta bazojnë në argumente, vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe parime ndërkombëtare, dhe kësisoj të parandalojnë aprovimin e një ligji kundërkushtetues dhe që e rrezikon të ardhmen e sektorit jo-qeveritar në Kosovë.

PËRMBLEDHJE E PROBLEMEVE NË LIGJIN PËR OJQ DHE ANALIZE LIGJORE E AMANDAMENTEVE TË LIGJIT shihni dokumentet më poshtë.