KCSF PUBLIKOI INDEKSIN E SHOQËRISË CIVILE PËR KOSOVË

Pas një periudhe afër dy vjeçare të hulumtimeve, analizave dhe diskutimeve gjithëpërfshirëse, KCSF përfundoi Indeksin e Shoqërisë Civile për Kosovë. Indeksi i Shoqërisë Civile analizon gjendjen aktuale të këtij sektori dhe, bazuar në këto të gjetura, synon që të nxisë veprime konkrete për avancimin e shoqërisë civile në Kosovë.

I punuar sipas metodologjisë globale të CIVICUS, ky studim ka përfshirë mbi 150 organizata të shoqërisë civile dhe numër të njejtë të personaliteteve të dalluara të shoqërisë kosovare, mbi 1300 qytetarë dhe një seri të gjatë takimesh të formateve të ndryshme ku janë diskutuar dhe validuar të gjeturat, si dhe janë prodhuar rekomandimet konkrete bazuar në këto të gjetura.

Indeksi i Shoqërisë Civile ka rezultuar me dy publikime konkrete: Raportin Analitik për Kosovë; dhe Dokumentin e Politikave për shoqërinë civile në Kosovë.

Aktualisht vetëm në gjuhën angleze, brenda disa javësh të dy dokumentet e Indeksit të Shoqërisë Civile do të shtypen në gjuhën shqipe dhe angleze, duke u shoqëruar me promovim të të gjeturave dhe diskutime për rekomandimet e dala.

Indeksi i Shoqërisë Civile për Kosovë u mbështet financiarisht nga Trusti Ballkanik për Demokraci (BTD).