KCSF PREZANTON KOMENTARIN “PËRTEJ RETORIKËS POLITIKE”

Të premten, më datë 10 korrik 2015, duke filluar nga ora 09:00 në ambientet e sallës së konferencave “Orion”, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) do të prezantojë Komentarin “Përtej retorikës politike – Kthimi i Komisionit për Integrime Europiane në udhëheqës të integrimit”.

Me avancimin e Kosovës në procesin e integrimit europian, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), do të jetë e domosdoshme që retorika politike në përkrahje të integrimit në Bashkimin Europian, të përkthehet në investim serioz politik, njerëzor dhe financiar. Agjenda europiane paraqet një mundësi të artë për të shtyrë përpara bashkërisht çështjet kryesore që mundësojnë transformimin e Kosovës.

Ky Komentar është një punim i shkurtër që përmban disa rekomandime që prekin çështjet thelbësore të agjendës së shumëpërfolur europiane të Kosovës. Këto rekomandime, i janë drejtuar Komisionit për Integrime Evropiane (KIE), si trupi bartës i procesit të integrimeve evropiane. Rekomandimet e bëra në bazë të një studimi të detajuar, njëherit paraqesin parakushtet esenciale që KIE duhet t’i plotësojë për të përmbushur mandatin e vet.

Në kuadër të këtij takimi, do të zhvillohet edhe një diskutim rreth kësaj çështjeje nga panelistët znj. Teuta Sahatqija – Kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Eurpoianez. Samuel Žbogar – Shef i Zyres së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së dhe z. Ramadan Ilazi – Zëvendësministër i Integrimit Europian.

Pikat e parpapara për diskutim në panel që do të marrë formën e diskutimit të hapur janë si në vazhdim:
– Përgatitjet e KIE-së për obligimet e Kuvendit pas hyrjes në fuqi të MSA-së dhe angazhimet shtesë të KIE-së në formimin e trupave institucionale lidhur me MSA-në
– Rëndësia e udhëheqjës së KIE-së nga opozita
– Ndërtimi i një sistemi funksional për mbikëqyrjen e zbatimit të dokumenteve të rëndësishme për procesin e integrimit europian
– Partneriteti me një ”vend sponzor” potencial në procesin e integrimit europian në Kosovë
– Nevoja për rritjen e kapaciteteve në numër dhe në cilësi në nivelet e ndryshme të Administratës së Kuvendit, duke filluar nga stafi mbështetës i KIE-së
– Mundësitë e KIE-së për përkrahje nga donatorët ndërkombëtarë në angazhimin e ekspertëve ligjor dhe politik
– Ngritja e dialogut më të strukturuar me shoqërinë civile, përfshirë organizimin e dëgjimeve publike për projektligjet në procedurë
– Shfrytëzimi i mekanizmave ligjor për t’i detyruar ministritë dhe institucionet tjera të ndajnë dokumente me KIE-në dhe të raportojnë para KIE-së

Regjistrimi i pjesëmarrësve do të nis nga ora 08:30, ndërsa takimi do të fillojë në orën 09:00.

Prezantimi dhe diskutimi do të zhvillohen në gjuhën shqipe. Përkthimi simultan është i siguruar.

Agjendën e takimit mund ta gjeni këtu.

Komentarin mund ta shkarkoni këtu.