KCSF PREZANTOI ANALIZËN ‘BASHKËFAJTORË NË MOSPUNË – ANALIZË E PUNËS SË KËSHILLIT KOMBËTAR PËR INTEGRIM EUROPIAN NË KOSOVË’

Në prezantimin e analizës dhe diskutimin pasues morën pjesë anëtarë të këtij Këshilli, përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, ambasadorë si dhe dy deputetë të Parlamentit Europian.

Nëpërmjet kësaj analize, KCSF konstaton se Këshilli Kombëtar për Integrim Europian edhe pas një viti të punës nuk është duke e përmbushur misionin e vet për drejtimin e vendit në rrugën e reformave të nevojshme për anëtarësim në BE.

Poashtu, KCSF ka ardhur në përfundim se Këshilli është i ndarë, i ndikuar nga politikat ditore, menaxhuar në mënyrë të paefektshme si dhe jotransparent në punën e tij. Këshilli nuk jep llogari për mangësitë e tij dhe funksionon kryesisht larg syve të qytetarëve.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile i bën thirrje Këshillit që të:

  • përqendrohet në përcaktimin e drejtimeve  strategjike dhe më pas në krijimin e koncenzusit rreth këtij vizioni;
  • miratojë sistemin për monitorimin e punës së Këshillit në mënyrë që të shihet nëse ky Këshill është duke i zbatuar deklaratat dhe premtimet e veta;
  • Respektojë rregulloren e vet të punës me rastin e caktimit të mbledhjeve, shpërndarjes së procesverbaleve dhe të përfundimeve, si dhe të komunikimit me publikun;
  • vendosë që mbledhjet e Këshillit të jenë plotësisht të hapura për mediet në mënyrë që qytetarët e Kosovës të jenë të informuar për punën e Këshillit si dhe të kenë mundësi të kërkojnë llogari nga Këshilli.

Kjo analizë rezulton me rekomandime relativisht të lehta për tu zbatuar që synojnë transformimin e Këshillit nga një “vend i fjalëve të zbrazëta” në një organ kompetent, transparent dhe të efektshëm ashtu siç edhe është paraparë të jetë. Këto rekomandime mund të arrihen vetëm me një angazhim të Qeverisë dhe partive opozitare pjesëmarrëse në këtë Këshill, si dhe nëpërmjet presionit të vazhdueshëm nga shoqëria civile dhe mediet.

Përveç rekomandimeve për Këshillin si trupë e përbashkët, në këtë dokument paraqiten edhe rekomandime specifike për opozitën, organizatat e shoqërisë civile, mediet dhe institucionet e BE-së për të ndihmuar në realizimin e këtyre ndryshimeve.