KCSF pret në takim delegacionin e deputetëve norvegjez, bisedohet për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Prishtinë, 20 shtator 2023- Dje në KCSF pritëm delegacionin norvegjez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët janë duke e vizituar vendin tonë lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Delegacioni i deputetëve norvegjez, të udhëhequr nga znj. Ingjerd Schou, u njoftuan me punën e KCSF-së në përkrahjen e shoqërisë civile, por edhe me një perspektivë historike dhe aktuale të këtij sektori në Kosovë, që nga vitet e 90-ta, te periudha e pasluftës dhe e shtet-ndërtimit, e deri më tani. Gjithashtu u diskutuan tema të shumta që lidhen me qytetarinë aktive, dialogun e shoqërisë civile me qeverinë dhe konsultimet publike, angazhimin komunitar në nivel lokal, organizatat që punojnë për të drejtat e njeriut dhe ato të pakicave kombëtare, barazinë gjinore si dhe tema tjera që lidhen me angazhimin e shoqërisë civile në Kosovë.

KCSF shprehu bindjen e plotë që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës vetëm sa do ta fuqizojë kornizën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe do t’i japë qytetarëve dhe shoqërisë civile një shtysë të re për të vazhduar angazhimin në këtë drejtim.