Partneriteti Global për Efektivitetin e Bashkëpunimit Zhvillimor (GPECD) është një forum politik gjithpërfshirës që mbledh rreth vetes qeveritë, përfaqësuesit e parlamenteve, organizatat e ndryshme, shoqërinë civile dhe sektorin privat nga mbarë bota si akterë të përkushtuar për rritjen e efektivitetit të bashkëpunimit zhvillimor në vendet në zhvillim. Meqenëse disa nga fushat e trajtuara nga GPECD-ja kërkojnë angazhim të drejtpërdrejtë të shoqërisë civile, në fillim të vitit 2016 Sekretariati i GPECD-së ka zgjedhur KCSF-në si pikë kontakti për shoqërinë civile në Kosovë.
GPECD-ja ka dalë nga Marrëveshja e partneritetit e Busanit e vitit 2011, ndërsa në qendër të vëmendjes ka shtetet në zhvillim. Ky partneritet përcjellë ecurinë e zbatimit të zotimeve të Busanit, të cilat synojnë ta bëjnë më efektive ndihmën zhvillimore gjithandej globit. Korniza mbi të cilën GPECD-ja kryen këtë mbikëqyrje konsiston në 10 indikatorë, me fokus në fuqizimin e institucioneve në shtetet në zhvillim, rritjen e transparencës, promovimin e barazisë gjinore dhe rritjen e përfshirjes së shoqërisë civile, parlamenteve e sektorit privat në iniciativat zhvillimore. Kështu, GPECD-ja bën matjen e këtyre 10 indikatorëve në baza të rregullta vjetore. Mbi të dhënat e nxjerra, GPECD-ja përgatit Raportin e Progresit me të gjeturat kryesore.
Si pikë kontakti për shoqërinë civile në Kosovë, KCSF-ja gjatë vitit 2016 ka monitoruar dhe raportuar në nivel global mbi zhvillimet në Indikatorët 2 dhe 3 në Kosovë, e të cilat kanë të bëjnë me ambientin për funksionim të shoqërisë civile dhe përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera në planifikimin dhe zbatimin e ndihmës zhvillimore në Kosovë.