Në kuadër të rrjetit global të shoqërisë civile CIVICUS, 160 vende të ndryshme të botës monitorojnë dhe raportojnë në baza dy-mujore zhvillimet në lirinë e asociimit, lirinë e tubimit dhe lirinë e shprehjes. Për shkak të mos-pranimit të Kosovës nga OKB, Kosova nuk ka qenë e përfshirë në këtë nismë globale. Pas përpjekjeve të KCSF-së dhe Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN), nga muaji gusht 2016 Kosova është përfshirë në këtë nismë dhe KCSF ka marrë përsipër monitorimin dhe raportimin për Kosovë.
Për të rritur cilësinë e monitorimit dhe raportimit në secilën prej këtyre lirive, sot KCSF nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Kosovare për Rehabilitim të të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK). Në kuadër të këtij bashkëpunimi, QKRMT angazhohet për të mbuluar zhvillimet rreth lirisë së tubimit ndërsa AGK ato që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes. Përveç raportit përmbledhës për të gjitha liritë, KCSF do të vazhdojë të mbulojë zhvillimet rreth lirisë së asociimit.
Monitorimi dhe raportimi i këtyre lirive bëhet në baza vullnetare nga të trija organizatat ndërsa ka për qëllim që ta vendosë Kosovën në hartën e vendeve të botës ku zbatimi i parimeve dhe praktikave të këtyre lirive themelore mbikëqyret vazhdimisht.