KCSF NDAU MBI 100 GRANTE GJATË VITIT 2017

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me buxhet për grante mbi 2 milion Euro në vit, është një nga partnerët kryesorë të donatorëve bilateralë. Përkrahja e KCSF dhe partnerëve të saj, ka për qëllim zhvillimin e shoqërisë civile në Kosovë, përkrahjen e OJQ-ve dhe iniciativave qytetare për të zhvilluar demokracinë në vend, si dhe mobilizim të potencialit për të kontribuar në procesin e Integrimit Europian.

Kjo mbështetje është materializuar me mbështetjen e mbi 100 grantistëve deri në fund të vitit 2017.

Gjatë vitit që shkoi, KCSF vazhdoi zbatimin e skemave të granteve të financuara nga Qeveritë e Zvicrës dhe Danimarkës, të Suedisë, të Luksemburgut, Kanadasë dhe Bashkimit Europian. Përmes marrëveshjeve dypalëshe me këta donatorë, krahas angazhimit për arritjen e misionit të saj, KCSF synon edhe arritjen e objektivave dhe rezultateve të veçanta të përcaktuara së bashku me partnerët e saj.

Përpos granteve të ndara që zbatohen me OJQ-të partnere nga granti institucional i përkrahur nga Sida suedeze, KCSF zhvillon ndërhyrje të mëdha, unike dhe komplementare mes tyre. Skema e DSP – Promovimi i Shoqërisë Demokratike e cila përkrahet nga qeveritë e Zvicrës dhe Danimarkës, ofron ndër tjera grante institucionale, grante për projekte dhe çmime për organizata të shoqërisë civile dhe iniciativa qytetare.

Skema e granteve që përkrah iniciativat me bazë në komunitet (grassroots) që kontribuojnë në ndryshime pozitive në shoqëri në nivelin lokal e cila përkrahet nga Bashkimi Europian, si dhe menaxhon përkrahjen për iniciativat për zhvillim lokal dhe të drejtat e njeriut përkrahur nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale.

Gjatë vitit 2017 KCSF ka arritur edhe marrëveshjen disa vjeçare me qeverinë e Dukatit të Madh të Luksemburgut, ku përmes granteve do të përkrahet shoqëria civile për të kontribuar në integrimin social të të rinjve, raportimin e drejtë në media, dhe ngritjen e njohurive në temat që lidhen me agjendën Europiane të Kosovës.

Përkrahja nga qeveria e Suedisë përmes grantit institucional i ka mundësuar KCSF-së që krahas skemave specifike të ndërtojë instrumente, shërbime dhe grante, si dhe programe të përkrahjes për OJQ-të partnere me qëllim të arritjes së rezultateve të saj programore.

Këto forma të përkrahjes përfshijnë grantet individuale për rrjetëzim dhe përfaqësim ndërkombëtar të cilat paraqesin format e vetme të përkrahjes së këtillë në Kosovë. Përmes këtyre fondeve OJQ-të kanë mundësi të anëtarësohen në rrjete ndërkombëtare ndërsa përfaqësuesit e tyre të prezantohen në ngjarje të ndryshme.

Gjithashtu, përmes thirrjes se veçantë gjatë vitit 2017, KCSF ka përkrahur disa organizata partnere për të kontribuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe prioriteteve afatshkurta nga Agjenda Europiane e Reformave, projekte këto që shtrihen edhe në vitin 2018. Derisa, me qëllim të monitorimit të zbatimit të rregullores për standardet minimale për konsultim publik, KCSF ka kontraktuar 14 organizata të cilat bazuar në një metodologji unike e të përbashkët do të bëjnë këtë monitorim gjatë vitit 2018, me qëllim të përmirësimit të politikë-bërjes dhe përfshirjes qytetare në vendimmarrje.

Gjatë vitit 2017, numri i granteve ka tejkaluar shifrën 100. Këtu bëjnë pjesë grantet nga projekti i DSP-së me rreth 40 grante aktive, të cilat edhe për nga shuma janë më të mëdha. Së dyti, nga thirrja për grantet e skemës së BE-së, KCSF ka kontraktuar 20 organizata të reja. Grantet e përfaqësimit dhe rrjetëzimit numërojnë 30 përfitues gjatë vitit. Derisa, shtatë organizata do të kontribuojnë në zbatimin e MSA-së përgjatë viteve 2018 dhe 2019, dhe po ashtu, shtatë organizata janë kontraktuar nga skema e Luksemburgut me projekte deri në 24 muaj të cilat kanë filluar zbatimin në janar, 2018.

Viti 2017 ka qenë dinamik, i karakterizuar me zbatimin e skemave ekzistuese, dizajnimin e skemave të reja, si dhe zhvillimin e programeve dhe instrumenteve përkrahëse për sektorin e të cilat janë komplementare me skemat tjera aktive.

Ndër të tjera, kjo ka qenë e mundur edhe falë fleksibilitetit të bazuar në nevoja të sektorit, partneritetit të sinqertë dhe përkrahjes bujare nga Sida suedeze.