KCSF LANSON DY PUBLIKIME TË INDEKSIT TË SHOQËRISË CIVILE PËR KOSOVË ~ 10 MAJ 2011 – PRISHTINË

Pas një periudhe afër dy vjeçare të hulumtimeve, analizave dhe diskutimeve gjithëpërfshirëse, KCSF lanson dy publikimet e Indeksit të Shoqërisë Civile në Kosovë. Indeksi i Shoqërisë Civile analizon gjendjen aktuale të këtij sektori dhe, bazuar në këto të gjetura, synon që të nxisë veprime konkrete për avancimin e shoqërisë civile në Kosovë.

I punuar sipas metodologjisë globale të CIVICUS, ky studim ka përfshirë mbi 150 organizata të shoqërisë civile dhe numër të njejtë të personaliteteve të dalluara të shoqërisë kosovare, mbi 1300 qytetarë dhe një seri të gjatë takimesh të formateve të ndryshme ku janë diskutuar dhe validuar të gjeturat, si dhe janë prodhuar rekomandimet konkrete bazuar në këto të gjetura.

Indeksi i Shoqërisë Civile ka rezultuar me dy publikime konkrete: Raportin Analitik për Kosovë; dhe Dokumentin e Politikave për shoqërinë civile në Kosovë.

Lansimi i publikimeve do të shoqërohet me diskutime nga panelistë dhe pjesëmarrës nga të gjitha sektorët e shoqërisë kosovare, të Martën më 10 Maj 2011, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në sallën e madhe të Hotel Grand.

Indeksi i Shoqërisë Civile për Kosovë u mbështet financiarisht nga Trusti Ballkanik për Demokraci (BTD).