KCSF bëri bashkë 17 organizata përfituese të Grantit Institucional për rrjetëzim dhe shkëmbim përvojash

Në ambientet e KCSF-së, takuam 17 organizatat përfituese të Grantit Institucional nga dy ciklet e këtij instrumenti, duke bërë bashkë organizatat që tashmë kanë përmbyllur vitin e parë të zbatimit me ato që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre trevjeçar të mbështetjes institucionale. Takimi krijoi hapësirë për njohje, bashkëbisedim dhe rrjetëzim mes organizatave që punojnë çdo ditë për t’i dhënë më shumë zë qytetarëve në Kosovë.

Në fjalën e tij, drejtori ekzekutiv i KCSF-së, z.Dren Puka, theksoi rëndësinë e mbështetjes afatgjate dhe fleksibile për organizatat e shoqërisë civile, si parakusht për qëndrueshmërinë, pavarësinë dhe ndikimin e tyre në zhvillimin demokratik të vendit: “Hapësira qytetare po ngushtohet në shumë vende të Evropës dhe jo rastësisht, por si zgjedhje politike e vetëdijshme. Në këtë kontekst, mbështetja institucionale që KCSF-ja e ofron është më e vlefshme se kurrë më parë sepse jep fleksibilitet, kohë për të menduar dhe hapësirë për të ndërtuar besim të vërtetë me qytetarët. Organizatat të cilat kanë në qendër qytetarët janë më të forta dhe është më e vështirë që të sulmohen e delegjitimohen dhe kjo është forma më e qëndrueshme e mbrojtjes demokratike”.

Znj. Beate Katja Elsässer, Udhëheqëse e Programit për Bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, nënvizoi vazhdimësinë e përkushtimit zviceran për mbështetjen e shoqërisë civile: “Programi i sapolansuar i Bashkëpunimit Zviceran me Kosovën 2026–2029 rikonfirmon se mbështetja për shoqërinë civile mbetet një fokus i rëndësishëm i angazhimit tonë. Ne vazhdojmë të besojmë se organizatat e forta, të pavarura dhe kredibile të shoqërisë civile janë thelbësore për zhvillimin demokratik, kohezionin social, llogaridhënien dhe debatin publik të informuar”.

Mbështetjen për shoqërinë civile si shtyllë të rëndësishme të demokracisë e ritheksoi edhe z. Henrik Riby, Udhëheqës i Agjencisë Zhvillimore Suedeze në Kosovë: “Një shoqëri civile e gjallë dhe e larmishme është thelbësore për një demokraci të zhvilluar. Pikërisht për këtë arsye, Suedia e mbështet KCSF-në dhe partnerët e saj të cilët po kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës duke avokuar që të drejtat e njeriut të mbrohen dhe të realizohen për të gjithë qytetarët”.

Organizatat përfituese të ciklit të parë, të cilat kanë përmbyllur vitin e parë të zbatimit, janë: Kosovo Glocal / Kosovo 2.0, Instituti QIKA, Qendra Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA, Instituti GAP, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, Center for Affirmative Social Actions – CASA, Fondacioni Shtatëmbëdhjetë dhe Fondacioni Lumbardhi.

Organizatat përfituese të ciklit të dytë, të cilat kanë nisur zbatimin këtë vit, janë: Teach for Kosova, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Group for Legal and Political Studies – GLPS, Kosovo Rehabilitation Centre for Torture Victims – KRCT, Center for Social Group Development – CSGD, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS, Handikos Ferizaj, NGO Aktiv dhe Democracy for Development – D4D.

Grantet institucionale kanë për qëllim mbështetjen e zbatimit të strategjive organizative duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e brendshme, duke u mundësuar organizatave t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në fushat e tyre tematike përkatëse, si dhe duke qenë të gatshme që të reagojnë në kohë ndaj nevojave në ndryshim e sipër në këto fusha.

Grantet institucionale janë pjesë e programit të KCSF-së “EJA Kosovë”, për përkrahje të shoqërisë civile që bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.