Programi për Angazhim Qytetar (CEA) i financuar nga misioni i USAID-it në Kosovë ka hapur thirrjen për aplikime për të mbështetur partneritetet ndërmjet Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC) dhe sektorit privat. Këto partneritete do të punojnë në iniciativa të përbashkëta që adresojnë shqetësimet e komunitetit dhe promovojnë bashkëpunimin ndërsektorial, me synimin për të kontribuar në rritje të besimit social dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për mbështetjen financiare dhe jofinanciare të shoqërisë civile.
KUSH MUND TË APLIKOJË?
Partneritetet që përbëhen nga të paktën një OJQ dhe një kompani nga sektori privat (p.sh. biznes, media). Partneritetet me sektorin privat që vepron në diasporë do të konsiderohen me përparësi.
– Aplikanti dhe zbatuesi kryesor duhet të jenë OJQ aktive të regjistruara në Kosovë.
KOHËZGJATJA DHE BUXHETI
Zbatimi i projektit nuk duhet të tejkalojë periudhën kohore prej 12 muaj.
Grantet për Partneritet duhet të bashkëfinancohen përmes iniciativave të përbashkëta ndërmjet shoqërisë civile dhe sektorëve të tjerë. Pjesa e bashkë-financuar duhet të përfaqësojë të paktën 20% të buxhetit total. Nuk ka kufizim për buxhetin total, megjithatë financimi nga ky grant është i kufizuar në 7,300 € dhe nuk mund të kalojë 80% të buxhetit total. Çdo kërkesë e mbetur buxhetore mbi kufirin prej 7,300 €, duhet të vijë nga burime të tjera. Kontributet jo-financiare (in-kind) janë të mirëseardhura mirëpo nuk konsiderohen si bashkëfinancim.
DORËZIMI I APLIKACIONEVE
Aplikacionet duhet të dorëzohen në formën elektronike në ceainfo@kcsfoundation.org. KCSF do t’ia konfirmojë aplikantit pranimin e aplikacionit përmes email. Nuk merren parasysh aplikacionet e paplota dhe aplikacionet që nuk janë në përputhje me rregullat dhe formatet.
Lëshimi i kësaj thirrje nuk përbën angazhim të dhënies dhe KCSF rezervon të drejtën të mos përzgjedhë asnjë aplikacion të dorëzuar.
Thirrja për këtë cikël të tretë të Granteve do të jetë e hapur deri më 2 shkurt 2025. Thirrja mbetet e hapur edhe pas kësaj date, ku do të vijojë me cikle të reja aplikimi dhe vlerësimi në baza kuartale.
Pyetjet në lidhje me dokumentet për aplikim mund të adresohen në ceainfo@kcsfoundation.org.
Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet në lidhje me aplikimin do të publikohen në seksionin Q&A (pyetje dhe përgjigje) të uebfaqe të KCSF-së. Aplikantët këshillohen të kontrollojnë këtë seksion, të publikuar në uebfaqe.