Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) fton të gjithë përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile për të aplikuar për pjesëmarrje në trajnimin “Standardet minimale për procesin e konsultimit publik”.
E miratuar nga Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2016, Rregullorja për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, hyn në fuqi më 1 janar 2017.
Kjo rregullore përcakton një numër të obligimeve që Qeveria duhet t’i plotësojë gjatë procesit të konsultimit publik, e të cilat në anën tjetër ofrojnë mundësi për shoqërinë civile që të kontribuojë në procesin e politikë-bërjes në nivel të Qeverisë. Për të siguruar që të gjitha organizatat e shoqërisë civile të interesuara mund të njoftohen me dispozitat e kësaj rregulloreje dhe të ngrisin kapacitetet e tyre për pjesëmarrje në procesin e konsultimit publik, dhe bazuar në një Marrëveshje Bashkëpunimi me Zyrën për Qeverisje të Mirë të Zyrës së Kryeministrit, KCSF ka marrë përgjegjësinë për të trajnuar organizatat e shoqërisë civile në këtë temë.
Pjesëmarrësit në këto trajnime do të kenë mundësinë të njohin nga afër parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare dhe elementet praktike të kontributit të shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivel të Qeverisë. Në kuadër të këtyre trajnimeve do të përfshihen informacione mbi dokumentet, format dhe teknikat e konsultimeve publike, duke u bazuar në rregulloren përkatëse.
Procesi i aplikimit dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve
Të drejtë aplikimi kanë përfaqësuesit e të gjitha organizatave të shoqërisë civile aktive në Kosovë, të cilët planifikojnë që të përfshihen në procesin e politikë-bërjes në nivel të Qeverisë.
Trajnimet do të jenë 2 (dy) ditore dhe do të mbahen për grupe prej 20 personash, gjatë periudhës dhjetor 2016 – mars 2017.
Detajet e mëtejshme si datat dhe vendi, do të përcaktohen në përputhje me të dhënat që aplikantët do të ofrojnë gjatë aplikimit.
Trajnimet do të mbahen në gjuhën shqipe dhe do të ofrohen pa pagesë.
Kriteret për aplikim:
• Të interesuarit për të marrë pjesë në trajnim duhet të aplikojnë on-line, në linkun (https://www.surveymonkey.com/r/stminim);
• Aplikantët duhet të kenë parasysh që pozita e tyre e punës në organizatë duhet të jetë e ndërlidhur me procesin e politikë-bërjes dhe avokimin ndaj institucioneve qeveritare;
• Aplikimi duhet të dëshmojë synimin e organizatës për tu angazhuar në proceset vendim-marrëse gjatë vitit 2017.
KCSF do të trajtojë vetëm aplikacionet e plota dhe do të përzgjedhë përfaqësuesit e organizatave të cilët plotësojnë kushtet e lartpërmendura. Në fund të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të pjesëmarrjes.
Vetëm personat e përzgjedhur do të kontaktohen përmes e-mailit.
Informata më të hollësishme rreth procesit të aplikimit mund të gjeni në www.kcsfoundation.org, apo të na kontaktoni çdo ditë pune prej orës 10:00 deri në 12:00 në numrin e telefonit 038 248 636.
Afati i fundit për aplikim është 8 dhjetor 2016.