Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) fton të gjitha organizatat e shoqërisë civile për të aplikuar për pakon e trajnimeve për fuqizim të organizatave të shoqërisë civile, që do të mbahen në periudhën kohore tetor 2015 – qershor 2016.
Trajnimet kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të përgjithshme të organizatave të shoqërisë civile në përgjithësi, dhe në veçanti ngritjen e njohurive për qeverisje të brendshme të organizatës, ngritje të fondeve, komunikim më të mirë me publikun dhe mediet, si dhe avokim për ndryshim të politikave. Trajnimet janë të dizajnuara duke u bazuar në vlerësim të vazhdueshëm të nevojave të sektorit, dhe kërkesave me të cilat OShC-të ballafaqohen qoftë nga autoritetet publike apo donatorë të ndryshëm.
Kjo pako e trajnimeve do të ofrohet në baza të rregullta vjetore, dhe do të përmbajë 6 trajnime me temat përkatëse. Të gjitha trajnimet do të ofrohen falas për organizatat e përzgjedhura, dhe do të mbahen në Prishtinë. Trajnimet do të mbahen nga trajnerë profesional dhe me përvojë në fushat përkatëse, si dhe aktivistë të shoqërisë civile. Përveç pjesës teorike, pjesëmarrësit do të angazhohen në punë praktike gjatë të gjitha trajnimeve.
TEMAT E TRAJNIMEVE DHE DATAT
Pakoja e trajnimeve do të përmbajë temat:
- Pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave – do të trajtohen parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare; nivelet e pjesëmarrjes qytetare; korniza ligjore dhe mekanizmat për pjesëmarrje qytetare në nivel të Qeverisë, Kuvendit, dhe nivelit lokal; teknika e konsultimit të publikut gjatë hartimit të ligjeve dhe politikave etj; 28- 30 tetor 2015
- Organizimi i brendshëm dhe qeverisja e organizatave të shoqërisë civile – do të trajtohet koncepti i shoqërisë civile dhe format e organizimit të shoqërisë civile; parimet e përgjithshme dhe kërkesat ligjore për qeverisje të organizatave të shoqërisë civile; format e qeverisjes – organet e brendshme dhe ndarja e kompetencave; dokumentet e brendshme të OShC-ve – Statuti, Rregullorja e punës, Kodi etik dhe dokumentet tjera të organizatës; parimet e përgjithshme të menaxhimit financiar; nëntor 2015
- Strategjia e komunikimit dhe marrëdhënie me medie – do të trajtojë konceptin marrëdhënie me publikun; parimet e komunikimit strategjik; format më të zakonshme të përdorura për marrëdhënie me publikun, prezantimi publik, marrëdhënia me medie; identifikimi i target grupeve; dhe hartimi i strategjisë të organizatës për marrëdhënie me publikun; shkurt 2016
- Planifikimi strategjik dhe ngritja e fondeve – do të trajtojë rëndësinë e planifikimit strategjik për organizatat e shoqërisë civile; hapat në procesin e planifikimit strategjik; format dhe mjetet për analizë të mundësive dhe rrezikut; definimin e objektivave të qarta dhe hapat që duhet të ndërmerren për t’i arritur këto objektiva; hartimin e programeve dhe projekteve në kuadër të organizatës; mars 2016
- Menaxhimi i Ciklit të Projektit – do të trajtojë konceptin e menaxhimit të ciklit të projektit, definimin e projektit, shndërrimin e idesë fillestare në projekt; hapat dhe proceset kryesore të menaxhimit të projektit; buxhetimin e projektit; hartimin e kornizës logjike dhe planit të aktiviteteve të projektit; monitorimin dhe vlerësimin e projektit; prill 2016
- Obligimet e OJQ-ve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) – do të trajtojë legjislacionin tatimor në Kosovë, format e raportimit dhe obligimet e organizatave të shoqërisë civile ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, duke përfshirë: tatimin në paga dhe kontribute pensionale; tatimin në qira, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe tatimi në Korporata; dhe deklarimin elektronik i tatimeve dhe kontributeve pensionale (EDI). maj 2016.
PROCESI I APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJA E ORGANIZATAVE
Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara apo veprojnë në Kosovë. Kjo pako e trajnimeve synon që t’i fuqizojë kapacitetet organizative, menaxheriale dhe avokuese të së paku 20 organizatave të shoqërisë civile.
Kriteret për aplikim:
- Të gjitha organizatat e interesuara për të marrë pjesë në trajnim duhet të aplikojnë on-line. Format tjera të aplikimit nuk pranohen;
- Që në momentin e aplikimit, organizatat duhet ta përcaktojnë stafin i cili do të merr pjesë në trajnimet përkatëse. Aplikimi në trajnim duhet të jetë i lidhur me funksionin e stafit në organizatë;
- Në secilën prej temave të trajnimit organizata duhet të aplikojë me vetëm një anëtar;
- Një anëtar i organizatës nuk mund të aplikojë për më shumë se dy trajnime të ndryshme.
KCSF do të bëjë përzgjedhjen e njëzet (20) organizatave të cilat do ta ndjekin pakon e plotë të trajnimeve. Pjesëmarrja në të gjitha trajnimet është obligative për organizatat e përzgjedhura. Në fund të secilit trajnim pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të pjesëmarrjes.
Vetëm organizatat e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit. Për informata më të hollësishme rreth procesit të aplikimit mund të na kontaktoni çdo ditë pune prej orës 10:00 deri në 12:00 në numrin e telefonit 038 248 636, apo në e-mail adresat blerina.gjinolli@kcsfoundation.org dhe rina.dragidella@kcsfoundation.org.
Afati i fundit për aplikim është 18 tetor 2015.
Për të aplikuar ju lutem klikoni në linkun: https://www.surveymonkey.com/r/CRGZ7V3