FONDET PUBLIKE PËR OJQ-TË – PAK PËRPARIM E SHUMË SFIDA

Fondet publike për shoqërinë civile mbesin ndër çështjet më problematike për zhvillimin e sektorit në Kosovë. Përkundër faktit që shteti në shumë raste ofron fonde për organizatat e shoqërisë civile, e në veçanti për ato më të vogla, nuk ka rregulla e as procedura për këtë proces. Fondet ekzistuese për organizatat e shoqërisë ndahen nga institucionet e caktuara në nivel qendror dhe lokal, pa ndonjë lloj bashkëpunimi dhe pa ndonjë planifikim brenda buxhetit të shtetit.

Një zhvillim pozitiv është shënuar gjatë majit 2016, kur Qeveria miratoi një model të financimit publik për organizatat e shoqërisë civile, i cili është dizajnuar bashkërisht me shoqërinë civile në kuadër të Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. Modeli i miratuar parasheh kritere të përgjithshme unike për planifikim, shpërndarje dhe monitorim të fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile, ku secila ministri është përgjegjëse për krijimin e procedurave specifike në përputhje me kushtet e përgjithshme. Tashmë grupi punues, i udhëhequr nga Ministria e Financave, është në përfundim të punës rreth hartimit të rregullores përkatëse për ta funksionalizuar këtë model, e cila pritet që të miratohet deri në mars të vitit 2017.

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, si anëtar i grupeve punuese përkatëse, ka dhënë një kontribut domethënës përgjatë gjithë procesit. Përderisa miratimi i kornizës ligjore paraqet një hap shumë të rëndësishëm në rregullimin e ndarjes së fondeve shtetërore për sektorin, KCSF do të vazhdojë kontributin dhe presionin për një zbatim të duhur të obligimeve të marra.