Më 20 dhjetor 2016 në Prishtinë, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO –K), Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP) i ndanë “Çmimin për Demokraci 2016” Fondacionit Lumbardhi për iniciativën e suksesshme të mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi në Prizren.
Çmimi për Demokraci vlerëson kontributet e individëve dhe organizatave në fusha të ndryshme, të cilat ndikojnë në procesin e demokratizimit në Kosovë. Qëllimi i çmimit është që të vlerësohet dhe të njihet kontributi i shoqërisë civile, si rezultat i zbatimit të një nisme të suksesshme, natyrës inovative të nismës, ndikimit të kësaj nisme duke përfshirë potencialin për zgjerim dhe guximin e organizatës apo individit të shprehur përmes nismës në fjalë.
Fondacioni Lumardhi u përzgjodh si laureat i këtij cmimi nga Bordi i DSP-së për Grante dhe Çmime në mesin e gjashtë të nominuarve. Thirrja për nominime për Çmimin për Demokraci ka qenë e hapur për të gjitha palët e interesuara që të nominojnë personat apo organizatat për të cilat konsiderohet se kanë dhënë kontribut të shquar në demokratizim të vendit.
Fondacioni Lumbardhi është vazhdimësi e Iniciativës për Mbrojtjen e Kinemasë Lumbardhi, iniciativë kjo e përkrahur nga 58 organizata të shoqërisë civile të cilat u bashkuan duke shfaqur gatishmëri për të përdorur të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar shkatërrimin e ndërtesës ose ndryshimin e funksionit të aktivitetit të Kinemasë Lumbardhi në Prizren. Si rezultat i këtij angazhimi dhe iniciative, procesi i likuidimit të Kinemasë Lumbardhi nuk është më në agjendën e procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe kjo kinema tanimë është nën Mbrojtjen e Përkohshme si Objekt i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.
Përveç këtij çmimi, skema e DSP-së përkrahë projekte që ndikojnë pozitivisht në shoqëri, si dhe ofron përkrahje institucionale për organizata të cilat i nxisin dhe përcjellin sistematikisht këto ndryshime. Që nga viti 2014, 45 projekte në tërë Kosovën janë mbështetur nga kjo skemë me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 3 milionë eurosh. Projekti do të vazhdojë të zbatohet deri në vitin 2018.