Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) nga 24 shkurti 2014 është bërë anëtar mbështetës i Lëvizjes Europiane. Anëtarësimi pason shprehjen e interesit nga KCSF-ja që nga muaji dhjetor 2013 dhe votimit të Bordit të Lëvizjes Europiane në mbështetje të kësaj kërkese.
E themeluar qysh në vitin 1948, Lëvizja Europiane (ang: European Movement) është një ndër organizatat ndërkombëtare më të fuqishme dhe më me ndikim që angazhohet për një Europë të bashkuar. Themelimi i Këshillit të Europës, themelimi i Kolegjit të Europës në Bryzh, zgjedhjet e drejtpërdrejta për Parlamentin Europian dhe Traktati mbi Bashkimin Europian (Traktati i Lisbonës) janë vetëm disa nga arritjet e shumta në të cilat ka kontribuuar kjo organizatë. E përfaqësuar në 39 vende të Europës dhe duke përfshirë në gjirin e saj 33 organizata ndërkombëtare, Lëvizja Europiane shtrin ndikimin e saj nga Islanda në Turqi dhe nga Portugalia në Finlandë. Për më tepër, është e vetmja organizatë e këtij profili që mbulon thuajse gjithë kontinentin europian, duke përfshirë vendet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera kandidate dhe jokandidate.
Lëvizja Europiane synon që të kontribuojë në krijimin e një Europe federale të ndërtuar mbi parimet e paqes, demokracisë, pavarësisë, solidaritetit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këtë e bën nëpërmjet studimit dhe informimit, duke iu mundësuar qytetarëve të Europës që të përfshihen në zhvillimet që ndodhin në nivel të BE-së. Gjithashtu, vepron edhe si grup presioni, duke ushtruar ndikim në sektorë dhe shtete të ndryshme, nëpërmjet anëtarëve të saj.
Përveç njohjes dhe vlerësimit të punës së KCSF-së, përfshirja si anëtar mbështetës në Lëvizjen Europiane shërben edhe si një nxitje shtesë për të vazhduar kontributin e KCSF-së për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian.
Për më tepër, rreth Lëvizjes Europiane vizitoni http://www.europeanmovement.eu/