Filluan trajnimet në kuadër të Pakos së Trajnimeve për organizatat e shoqërisë civile të organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile. Gjatë trajnimit të parë të mbajtur përgjatë datave 28, 29 dhe 30 tetor u shtjellua tema “Pjesëmarrja e organizatave të shoqërisë civile në procesin e hartimit të ligjeve dhe politikave”. Në kuadër të këtij trajnimi treditor, ligjërues profesionalë dhe me përvojë në fushat përkatëse, ndanë me të pranishmit njohuri nga sfera të ndryshme.
Në trajnimin e parë të sjellë nga njohësi i çështjes, Hajrullah Çeku, pjesëmarrësit u njohën me parimet e përgjithshme të pjesëmarrjes qytetare dhe rreth procesit të konsultimit publik, si dhe rreth pjesëmarrjes së shoqërisë civile në nivelin lokal.
“Pjesëmarrja e shoqërisë civile në nivelin e Qeverisë” ishte tema që u trajtua në ditën e dytë nga njohësi i fushës Taulant Hoxha. Si pjesë e kësaj punëtorie, pjesëmarrësit patën rastin që nga afër të njihen me përvojat e hartimit të politikave dhe ligjeve në nivel të Qeverisë, aktet e Qeverisë dhe me procesin e hartimit të tyre si dhe me kornizën ligjore dhe mekanizmat për pjesëmarrje në nivelin e Qeverisë së Kosovës.
Në ditën përmbyllëse të trajnimit të parë, Driton Selmanaj solli para pjesëmarrësve perspektivën e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në nivelin e Kuvendit, duke prezantuar kornizën ligjore dhe mekanizmat për pjesëmarrje qytetare të Kuvendi të Kosovës. Si pjesë e kësaj puëntorie, pjesëmarrësit diskutuan rreth mundësive konkrete për pjesëmarrje në Kuvendin e Kosovën.
Këto trajnime kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të përgjithshme të organizatave të shoqërisë civile në përgjithësi, dhe në veçanti ngritjen e njohurive për qeverisje të brendshme të organizatës, ngritje të fondeve, komunikim më të mirë me publikun dhe mediet, si dhe avokim për ndryshim të politikave. Trajnimet janë të dizajnuara duke u bazuar në vlerësim të vazhdueshëm të nevojave të sektorit, dhe kërkesave me të cilat OShC-të ballafaqohen qoftë nga autoritetet publike apo donatorë të ndryshëm.
Pakoja e Trajnimeve për organizatat e shoqërisë civile për vititn 2015/2016 do të vijojë edhe me pesë punëtorive të tjera, të cilat do të sjellin pranë pjesëmarrësve tema të ndryshme nga ligjërues me përvojë në fushat gjegjëse.