14 korrik 2023-Sot programit EJA Kosovë, ju shtuan edhe 6 organizata të shoqërisë civile, të cilat janë përkrahur përmes Granteve të vogla për projekte. Organizatat si: IZHI, Lions Club Istogu, Instituti Sekhmet, Omculti, Me Dore Ne Zemer dhe Politeia përgjatë muajve në vijim do të zbatojnë projekte që do të ndikojnë në krijimin e mundësive të reja për pjesëmarrje më të madhe qytetare rreth çështjeve të ndryshme publike.
Projektet do të zbatohen në Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Gjilan, Gjakovë, Klinë, Istog, Deçan dhe Malishevë. Ndërkaq janë të orientuara kah fushat tematike që përfshijnë fuqizimin e grave në sektorin e biznesit, përmirësimin e shërbimeve të institucioneve edukative karshi personave me aftësi të kufizuar, përmirësimin e përfaqësimit politik të personave LGBTI+, prodhimin e 100 audio – librave për persona të verbër dhe me shikim të dëmtuar, përfshirjen e të rinjve si dhe nismave jo – formale e klubeve të sportit në qeverisje lokale.
Përmes këtij cikli të granteve, këto organizata janë përkrahur me një shumë totale prej rreth 70 mijë euro.
Pas nënshkrimit të kontratave, organizatat e përkrahura patën mundësi të informohen lidhur me procedurat administrative të zbatimit të grantit, në një sesion informues që u mbajt për këtë qëllim.
Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së, i cili përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.