DONATORËT E HUAJ PËR SHOQËRINË CIVILE NË KOSOVË

Sigurimi i resurseve të nevojshme financiare për zhvillimin e veprimtarisë është një nga çështjet më delikate sa i përket organizatave të shoqërisë civile. Sektorit të shoqërisë civile në Kosovë vazhdojnë t’i vihen në dispozicion një shumë e konsiderueshme e fondeve, sidomos nga donatorët ndërkombëtarë, përderisa fondet publike lënë shumë për të dëshiruar si për nga vëllimi po ashtu edhe për nga mënyra e shpërndarjes. Të gjeturat nga Indeksi Kosovar i Shoqërisë Civile 2016, tregojnë se donatorët e huaj vazhdojnë të jenë ofruesit më të mëdhenj të përkrahjes financiare për sektorin e shoqërisë civile në Kosovë. Edhe pse më pak se 40% të organizatave aktive në Kosovë kanë fonde të huaja, në terma monetarë për çdo 100 euro të shoqërisë civile në Kosovë, 99 euro vijnë nga donatorët e huaj.

Tani për tani, ndër donatorët e huaj kryesorë për shoqërinë civile në Kosovë janë: Bashkimi Europian (BE), Agjencia Amerikane e Shtetit për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikë (SHBA), Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA), Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K), Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA), Ambasada e Luksemburgut, Ambasada e Holandës, Ambasada e Finlandës, Ambasada e Austrisë, Ambasada e Kanadasë, si dhe ambasadat e tjera të vendeve të BE-së dhe disa donatorë të tjerë rajonalë dhe europianë që mbulojnë edhe Kosovën.

Ndër skemat e financuara nga Bashkimi Europian janë Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR), Programi për Përkrahje të Shoqërisë Civile (CSF) dhe Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet (EUOK).

Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR) është instrument i BE-së që ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vendet jo anëtare të BE-së. EIDHR përkrahë organizatat e shoqërisë civile në Kosovë përmes granteve, me buxhet vjetor rreth 1 milion EUR. Afati për aplikim përcaktohet në thirrjen për propozime. Të gjitha informatat e nevojshme rreth këtij instrumenti mund t’i gjeni këtu.

Programi për Përkrahje të Shoqërisë Civile (CSF) synon që të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë civile në vendet jo anëtare të BE-së përmes ofrimit të mbështetjes financiare. Kjo skemë përkrahë përfshirjen qytetare në debatin publik rreth ?ështjeve si demokracia, të drejtat e njeriut, gjithëpërfshirja shoqërore dhe sundimi i ligjit. Në bazë të planit vjetor për periudhën 2016-2017, ky program ka në fokus organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fusha tematike si kultura, grupet e margjinalizara etj. Për më shumë informata, klikoni këtu.
 
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë përmes projektit Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet (EUOK), i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ofron përkrahje financiare për nismat e avokimit të organizatave me bazë në komunitetit. Qëllimi i përgjithshëm i kësaj skeme është përkrahja e nismave të avokimit të organizatave me bazë në komunitet, të cilat kontribuojnë në ndryshime të shoqërisë në nivelin lokal. Shuma e përgjithshme e përkrahjes është rreth 500,000 EUR.  Secila thirrje për aplikim me projekt propozime e ka afatin e përcaktuar për aplikim, ndërsa informatat më të hollësishme mund të qasen këtu

Agjencia Amerikane e Shtetit për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes Programit Advancing Kosovo Together – Local Solutions (AKT–LS) ka për qëllim të nxisë komunikimin pozitiv dhe konstruktiv ndër-etnik duke u përqendruar në problemet e përbashkëta, nevojat, dhe zgjidhjet. Përveç integrimit të pakicave etnike. Skema e re për grante e këtij programi për Kosovë, e financuar nga USAID-i, është lansuar përmes thirrjeve për propozime. Për më shumë informata klikoni këtu.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka të hapur Programin për grante të vogla të Komisionit për Demokraci. Ky program synon ta mbështesë zhvillimin e institucioneve demokratike dhe të shoqërisë civile të Kosovës duke u ndarë grante të vogla organizatave të shoqërisë civile dhe medieve të pavarura lokale të Kosovës. Shuma më e madhe e grantit është 24,000 USD.

Një tjetër program i Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë është Programi i granteve të vogla në mbështetje të aktiviteteve artistike, akademike, apo të tjera me një lidhje me kulturën apo vlerat amerikane. Fondet janë të kufizuara zakonisht në rreth 5,000 USD. Projekt propozimet ose koncept-notat pranohen gjatë gjithë vitit. Procesi i  vlerësimit të projektit zgjat deri në dy muaj. Të gjitha informatat e nevojshme mund t’i gjeni këtu.

Mbretëria e Suedisë është një tjetër donator i rëndësishëm i shoqërisë civile në Kosovë përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA). Reforma Suedeze për Bashkëpunim për Kosovë për periudhën 2014-2020, e cila ngërthen  një buxhet prej 40 milionë SKE,  është fokusuar në disa segmente si: integrimi ekonomik me BE-në dhe zhvillimi i ekonomisë së tregut, demokracia, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e ambientit.  SIDA ofron këtë mbështetje përmes mekanizmave të ndryshëm, dhe atë përmes organizatave të ndërmjetme nga Suedia, organizatat ndërkombëtare si dhe partnerët lokalë. Për më shumë, mund të qaseni këtu.

Si pjesë e mbështetjes nga SIDA të ofruar përmes partnerëve lokalë, ekziston skema e grant-dhënies në kuadër të KCSF-së, e cila ofron përkrahje financiare për anëtarësim të organizatave të shoqërisë në rrjete rajonale/ndërkombëtare dhe përfaqësim rajonal/ndërkombëtar të organizatave të këtij sektori. Për më shumë, klikoni  këtu.

Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) përmes projektit për Promovim të Shoqërisë Demokratike (DSP) që zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ofron përkrahje financiare për projekte dhe organizata, që kanë për qëllim zhvillimin e një shoqërie demokratike në Kosovë. Për periudhën 2014-2018, SCO-K ka vënë në dispozion një buxhet prej 3,8 milionë EUR, derisa që nga 1 janari 2016, Agjencia Daneze për Zhvillim Ndërkombëtar (DANIDA) i është bashkëngjitur skemës së DSP-së edhe me 2 milionë EUR shtesë, duke e bërë DSP-në një nga skemat më të mëdha dhe më të rëndësishme të përkrahjes së shoqërisë civile dhe demokratizimit të vendit. Për grante të projekteve, mundësia për aplikim është e hapur gjatë gjithë kohës. Sa i përket granteve institucionale, afati i fundit për aplikim do të shpallet për secilën thirrje të veçantë për aplikim. Brenda një viti, parashihet së paku një thirrje për aplikim për grante institucionale. Për më shumë informata klikoni këtu.

Ambasada e Luksemburgut është një tjetër donator i rëndësishëm për shoqërinë civile në Kosovë. Strategjia për Zhvillim dhe Bashkëpunime Luksemburgut për Kosovën e përcaktuar për periudhën 2017-2020, fokusohet në katër sektorë: Arsim dhe formim profesional; asistencë teknike në përputhje me procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe mbështetje teknike për Ministrinë e Financave; sektorin e shëndetësisë dhe forcimin e shoqërisë civile. Në kuadër të kësaj straegjie, është paraparë një buxhet prej 2 milionë eurosh për financimin e projekteve të ndyshme nga organizatat lokale të shoqërisë civile. Përderisa a ulja e varfërisë është fokusi i përgjithshëm i Strategjisë, lufta kundër radikalizmit, mbështetja për raportim të drejtë të gazetarëve dhe fuqizimi i grave, janë ndër prioritetet specifike dhe tematike të përcaktuara për përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile. Ky fond do të menaxhohet nga KCSF-ja.  Për më shumë informata, klikoni këtu.

Ambasada e Holandës ka në dispoziocion fonde të vogla për projektet që promovojnë ndryshim në fushën e legjislacionit dhe sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, të drejtave të njeriut (me theks  të veçantë në të drejtat e grave dhe minoriteteve), informimit dhe medias. Ndihma për organizatat e shoqërisë civile ndahet permes Fondit MATRA, i themeluar me qëllim të ofrimit të ndihmës për shtetet të Europës Lindore në tranzicionin e tyre drejt shteteve demokratike, të bazuara në zbatim të ligjit. Programi i Ambasadës për  Bashkëpunimit të Evropë-Kosovë për periudhën 2017-2020 është i drejtuar në mbështetjen e reformave të nevojshme për Kosovën në rrugën e saj të integrimit në BE. Alokimi vjetor i financimit përfshin 1,9 milionë EUR, nga të cilat rreth 0,5 milionë EUR janë ndarë për skemën MATRA. Në kuadër të kësaj skeme, ofrohet përkrahje për projekte, zbatimi i të cilave mund të shtrihet der në 24 muaj, në vlerë prej 80,000-12,000 EUR. Të gjitha informatat e nevojshme mund t’i gjeni këtu

Fondi për Bashkëpunim Lokal (FLC) për Kosovën është një instrument financimi i menaxhuar nga Ambasada e Finlandës. Fondi vjetor në dispozicion është rreth 150,000 euro. Ambasada shqyrton të gjitha koncept-dokumentet e pranuara gjatë thirrjes dhe informon për rezultatet çdo organizatë aplikuese individualisht. Vetëm organizatave me koncept-document të suksesshëm u kërkohet të dorëzojnë aplikacion të plotë së bashku me anekset. Afati për aplikim përcaktohet sipas thirrjes për propozime. Të gjitha informatat e nevojshme mund t’i gjeni këtu.

Austria ofron përkrahje për shoqërinë civile në Kosovë përmes Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA). Derisa kjo skemë pretendon të jetë fleksibikel ndaj nevojave të grupeve të synuara lokale dhe mbështetje kohëzgjatjen e mbështetjes, kërkesë specifike është bashkëpunimi me ndonjë organizatë austriake të shoqërisë civile. Prioritetet tematike për shoqërinë civile janë të drejtuara në reduktimin e varfërisë, zhvillimin e kapaciteteve të vetë ndihmesës dhe forcimin e institucioneve vendore. Këto përfshijnë një gamë të larmishme të temave, kryesisht të përbëra në zhvillim rural, sigurinë e ushqimit, furnizimin me ujë dhe kanalizime, arsim/trajnim, të drejta e njeriut dhe ruajtjen e paqes, parandalimin e fatkeqësive dhe mbrojten e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Informatat më të detajuara i gjeni këtu.

KCSF është partneri vendor i Ambasadës Kanadeze për zbatimin e Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI) në Kosovë. Edhe pse më i vogël në shumë, ky fond ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për organizatat e shoqërisë civile të angazhuara në zhvillimin lokal dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës. Thirrjet e CFLI kanë të përcaktuara fushat për cilat aplikantët mund të aplikojnë dhe publikimi i thirjes bëhet në baza vjetore. Secila thirrje për aplikim me projekt propozime e ka afatin e përcaktuar për aplikim. Për më shumë informata klikoni këtu.