Sot më 12 gusht, shënohet Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Kjo ditë na shërben që të festojmë dhe të njohim arritjet, potencialin dhe kontributin e të rinjve dhe të rejave.
Të rinjtë sot globalisht janë duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e kauzave të ndryshme shoqërore, si dhe nxitjen e inovacionit digjital. Andaj njohja e të drejtave të të rinjve, promovimi i politikave dhe programeve për të rinj, si dhe forcimi i pjesëmarrjes së tyre në procese vendimmarrëse janë çështje esenciale për të rritur kontributin e tyre në shoqëri.
KCSF në vazhdimësi mbështet organizata, programe e nisma dhe organizon trajnime që kanë për synim fuqizimin e të rinjve dhe nxitjen e aktivizimit rinor. Vetëm gjatë viteve të fundit, KCSF ka mbështetur rreth 20 programe e nisma të shoqërisë civile që lidhen me rininë dhe aktivizimin rinor nëpërmjet EJA Kosovë, Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, si dhe Programit për Angazhim Qytetar CEA.