Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve: Nëntë OJQ, angazhohen në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre

1 qershor 2023 – Nëntë organizata jo – qeveritare që mbështeten nga programi EJA Kosovë, kanë punuar përgjatë vitit të fundit me përkushtim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre me fokus të veçantë në avancimin e shërbimeve psiko – sociale për fëmijë, mbështetje të specializuar logopedike, avokim për të drejtat themelore të nxënësve me shikim të dobësuar dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve për fëmijët pa përkujdesje prindërore në Kosovë.

“OJQ Inkluzioni” përmes grantit të vogël për projekt po ofron mbështetje të specializuar logopedike për fëmijë me çrregullime të të folurit përmes qasjes gjithëpërfshirëse dhe krijimit të një ambienti të përshtatshëm për zhvillim, në dy shkolla fillore në Gjilan. Gjatë këtij viti, kjo organizatë ka arritur të ofrojë afro 500 seanca logopedike për 44 fëmijë si dhe ka mbajtur 96 takime individuale me prindër në mënyrë që të përkrahet ky program i specializuar për fëmijë.

“EdGuard”, përmes grantit të mesëm për projekt, është duke avokuar për të drejtat themelore të nxënësve me shikim të dobësuar duke mbështetur një qasje më gjithëpërfshirëse në edukimin formal. Intervenimi i kësaj organizate është i strukturuar në ngritje të kapaciteteve të palëve të përfshira në edukimin e nxënësve me shikim të dobësuar dhe ngritje të vetëdijes së komunitetit për të parandaluar shkeljen e të drejtave të këtyre fëmijëve.

“Duart Plotë Mëshirë”, përmes grantit për zhvillim organizativ, ka arritur të përpilojë strategjinë e organizatës, të hartojë dokumente të brendshme dhe të ngrisë kapacitetet e stafit. Krejt këto kanë ndihmuar në nxitjen e bashkëpunimit me qytetarë dhe avancimin e shërbimeve psiko-sociale për fëmijë që kanë ngecje në mësimnxënie në komunën e Pejës.

“Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror (OFAP)”, përmes grantit për zhvillim organizativ ka zhvilluar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për një periudhë 5 vjeçare duke përmirësuar drejtpërdrejtë politikat dhe rregulloret e punës gjë që ka kontribuuar direkt në ngritjen e cilësisë së shërbimeve që OFAP ofron për fëmijët pa përkujdesje prindërore në Kosovë, si dhe në zhvillimin organizativ të organizatës.

“Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF” , përmes grantit institucional, është angazhuar në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre në Kosovë, e posaçërisht në përmirësimin e gjendjes së fëmijëve dhe familjeve në nevojë për shërbime sociale. KOMF përmes avokimit intensiv ka arritur që të shtyjë finalizimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare që pritet të procedohet për miratim. Po ashtu KOMF ka mbajtur seri të punëtorive lidhur me shërbimet sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve me profesionistë që punojnë në fushën përkatëse. Mbi 400 profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve në nivel qendror, lokal dhe jo qeveritar, kanë përfituar nga seria e punëtorive për zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës kurse mbi 200 profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve kanë përfituar nga seria e punëtorive mbi planifikimin, monitorimin, buxhetimin dhe kontraktimin e shërbimeve sociale, në mënyrë që të ofrojnë shërbime sociale cilësore.

“Lions Club Istogu” përmes grantit të vogël është duke punuar me fëmijët e komunës së Pejës, Istogut dhe Klinës me qëllim që të përfshijë praktika antidiskriminuese në gjashtë shkolla duke punuar në përfshirjen e nxënësve romë, egjiptian e ashkali, dhe fëmijëve me nevoja të veçanta në këshillat e nxënësve të atyre shkollave. Afro 500 nxënës dhe mbi 100 mësimdhënës të shkollave kanë marrë informacionet e duhura mbi temën e diskriminimit dhe përjashtimit social.

“OJQ Domovik”, përmes grantit institucional ka kontribuuar në përmirësimin e bashkëpunimit midis akterëve relevantë në zhvillimin dhe avancimin e mundësive për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët, posaçërisht për rinjtë dhe fëmijët që vijnë nga komunitetet më të ndjeshme shoqërore. Domovik ka punuar në promovimin e lidershipit në mes të rinjve dhe përfshirjen e tyre në zhvillim dhe implementim të politikave. Për më tepër, përmes kampanjave të ndryshme avokuese, të rinjtë dhe fëmijët janë edukuar mbi temat si angazhimi qytetar, vullnetarizmi, shëndeti mendor dhe edukimi medial.

“Shoqëria Aktive (OAKTIV)”, përmes grantit të vogël për projekt, ka krijuar në qytetin e Podujevës, një agjendë të qytetit për fëmijë, që përfshinë prioritetet dhe qëllimet specifike për të adresuar nevojat e fëmijëve në fusha të ndryshme si: arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje. Kjo organizatë po zhvillon shumë aktivitete me fëmijë, prindër dhe institucione për të shtyrë përpara këtë agjendë.

Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK), përmes grantit për zhvillim organizativ, ka bërë hartimin e modulit për ngritjen e kapaciteteve dhe përfshirjen e komunitetit të personave me sindromë Down dhe familjarëve të tyre në proceset e avokimit si dhe ka forcuar kapacitetet organizative duke hartuar draft rregulloret dhe politikat e brendshme si dhe duke krijuar dokumentet për decentralizimin e qendrave të veta lokale.

Sot, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ky angazhim qytetar na motivon të gjithëve që të vazhdojmë avokimin për të mbrojtur, promovuar dhe festuar të drejtat e fëmijëve, dhe për të punuar për një të ardhme më të mirë për fëmijët në Kosovë.

EJA Kosovë, është program i KCSF-së i cili përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.