Dita e Demokracisë: KCSF, tash e 25 vite mbetet e vendosur dhe e palëkundur në misionin e vet për demokratizimin e shoqërisë

Prishtinë 15 shtator 2023- Demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut konsiderohen bazat e shoqërive gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe paqësore. Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, që shënohet sot më 15 shtator, bota është fokusuar të festojë për këto vlera por edhe t’i njoh kërcënimet e shumta me të cilat përballen njerëzit sot.

Trazirat, konfliktet e pazgjidhura, çrregullimi informativ që po ndërhynë në diskursin publik, kërcënimi në rritje i ndryshimeve klimatike, problemet financiare janë vetëm disa prej elementeve të cilat shihen si kërcënim i vazhdueshëm për demokracitë në mbarë botën.

Sot duhet të kujtojmë angazhimin e gjithsecilit në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe të përkushtohemi për vazhdimin e këtij rrugëtimi që garanton zhvillim të qëndrueshëm, liri dhe mbrojtje të dinjitetit dhe të drejta për secilin person.

KCSF, tash e 25 vite është e vendosur dhe e palëkundur në misionin e vet për demokratizimin e shoqërisë duke përkrahë zhvillimin e shoqërisë civile dhe nismat që promovojnë një kulturë demokratike. Mijëra qytetarë çdo vit përfshihen në aktivitete të organizuara apo përkrahura nga KCSF-ja që kanë një synim të përbashkët: fuqizimin dhe mirëmbajtjen e vlerave demokratike.

Me mbështetjen e shumë partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, KCSF përgjatë këtyre viteve ka mbështetur financiarisht qindra iniciativa dhe organizata qytetare, ka zgjeruar njohuri dhe ka ngritur kapacitete të mijëra aktivistëve të shoqërisë civile nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor përmes trajnimeve bazë dhe të avancuara, ka realizuar hulumtime dhe ka publikuar raporte për të ofruar argumente të bazuara në dëshmi për procesin e politikë-bërjes, ka mobilizuar organizatat e shoqërisë civile për të mbrojtur dhe avancuar hapësirën qytetare në Kosovë dhe rajon, si dhe ka promovuar “kampionët e demokracisë” në sfera të ndryshme të shoqërisë.