Ka diplomuar gjenerata e njëzetë e Shkollës për Integrim Europian. Pjesëmarrësit e përzgjedhur, pas vijimit të trajnimeve, iu nënshtruan testit përfundimtar, duke përmbyllur kështu punimet e shkollës për këtë edicion.
Në kuadër të punëtorive të mbajtura, pjesëmarrësit u njohën nga afër me BE-në si koncept, historikun e zhvillimit, strukturën organizative, institucionet dhe perspektivën e BE-së drejt së ardhmes, parimet e së drejtës së BE-së, si dhe raportin e të drejtës së BE-së me të drejtën nacionale të shteteve anëtare dhe rendin ndërkombëtar, ilustruar me shembuj të vendimeve nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë dhe shumë çështje të tjera.
Deri më tani, Shkolla për Integrim Europian ka ofruar një program të veçantë të ngritjes së njohurive mbi historikun, institucionet, kornizën ligjore, politikat dhe proceset e politikave në BE, Europën si një faktor global, si dhe të ardhmen e rajonit brenda procesit të Integrimit Europian, me fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë – BE.
Qëllimi i përgjithshëm i Shkollës është përgatitja e kuadrove rreth sfidave drejt Integrimit Europian. Ky qëllim është arritur në masë të madhe duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes ndër pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat europiane, rrjedhimisht duke i bërë të gatshëm që njohuritë e fituara t’i transferojnë dhe përdorin në punën e tyre.