DIPLOMOHEN DY GJENERATA TË REJA TË SHKOLLËS PËR INTEGRIM EUROPIAN

Rrjetit të të diplomuarve të Shkollës për Integrim Europian nga KCSF, përgjatë vitit 2017, iu shtuan edhe 45 alumni. Nëpunës civilë, gazetarë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile e të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, vijuan edicionin e 22-të dhe atë të 23-të të Shkollës për Integrim Europian.

Pjesëmarrësit u njohën nga afër me Bashkimin Europian, historikun e zhvillimit, strukturat dhe vendimmarrjen, si dhe institucionet dhe perspektivën e BE-së drejt së ardhmes. Gjithashtu, u trajtuan parimet e së drejtës së BE-së dhe raporti i saj me shtetet anëtare, duke përfshirë shembuj të vendimeve nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, me fokus në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në kuadër të të dy edicioneve, tetë ligjërues, akademikë dhe ekspertë të çështjeve të ndryshme të BE-së, punuan aktivisht me pjesëmarrësit në përcjelljen e njohurive konkrete. Zhvillime dhe sfida aktuale për Kosovën në përpjekjet e saj të afrimit me Bashkimin Europian ishin pjesë e punëtorive, duke përfshirë çështje si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit apo liberalizimi i vizave.

Në vazhdën e aktiviteteve të këtyre edicioneve të Shkollës, u organizuan edhe ligjëratat e hapura me temë “Raportet e Kosovës me BE-në në rrethanat e reja: Fati i liberalizimit të vizave dhe i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, nga korrespodenti politik nga Brukseli, Augustin Palokaj.

Deri sot, rreth 1100 pjesëmarrës janë diplomuar nga Shkolla për Integrim Europian përmes programit të saj të larmishëm dhe dinamik. Qëllimi kryesor i Shkollës është përgatitja dhe aftësimi i profesionistëve dhe veprimtarëve me ndikim në sfidat e Kosovës në rrugëtimin e saj europian.
Flasin të diplomuarit:

Arjeta Pllana, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
“Programi i Shkollës për Integrim Europian më mundësoi të jem pjesë e ligjëratave nga profesorë universitarë dhe njohës të proceseve integruese, qëllimi i të cilëve ishte bartja te ne e njohurive rreth Integrimit dhe Bashkimit Europian.”

Valentina Bejtullahu Turjaka, OSBE
“Shkolla për Integrim Europian ofron mundësinë për t’u informuar në mënyrë të detajuar për atë se çka është Bashkimi Europian dhe cilat janë fushat dhe sfidat rreth të cilave duhet të punojnë institucionet e Kosovës.”

Elvinë Sefiu, Tribuna Media Group
“Shkolla për Integrim Europian është mundësia më e mirë që mund t’i ofrohet çfarëdo profesionisti, dhe t’i shërbejë në marrjen e njohurive mbi mënyrën e funksionimit të BE-së. Kjo shkollë me shumë kujdes ka përzgjedhur temat dhe ligjëruesit.”

Rexhep Arifi, Drejtoria Komunale e Arsimit, Gjilan
“Njohuritë dhe përvojat që kam marrë nga Shkolla për Integrim Europian do të më shërbejnë për të transmetuar njohuri të reja tek nxënësit e mi në lëndën e historisë dhe edukatës qytetare, e në të ardhmen me shumë dëshirë do të i promovoja edhe më gjerë.”