DEKLARATË E FONDACIONIT KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE RRETH PROJEKTLIGJIT PËR AMNISTI

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) shpreh brengën e thellë rreth përmbajtjes dhe mënyrës së procedimit të Projektligjit për Amnisti, i cili është paralajmëruar të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës më 4 korrik 2013.

Kushtetuta e Republikës e Kosovës obligon të gjitha institucionet shtetërore që të garantojnë të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike (Neni 45 i Kushtetutës). Rregullorja e Punës së Qeverisë obligon Qeverinë që gjatë hartimit të ligjeve të konsultojë të gjitha institucionet tjera publike, organizatat jo qeveritare dhe publikun e gjërë, duke ju dhënë atyre “informata dhe kohë të mjaftueshme në një formë të kuptueshme” për t’i mundësuar të gjithëve që të kuptojnë natyrën dhe pasojat e propozimit (Neni 7 dhe Neni 32 i Rregullores së Punës së Qeverisë). Periudha minimale për konsultim është 15 ditë pune, periudhë kjo e cila mund të zgjatet nëse një gjë e tillë konsiderohet e arsyeshme për shkak të natyrës së projektligjit (Neni 7 i Rregullores së Punës së Qeverisë). Periudha e konsultimit mund të shkurtohet apo të përjashtohet vetëm në rastet e emergjencave shtetërore dhe shmangies së rrezikut ndaj publikut, dhe atë vetëm kur Ministri propozues zyrtarisht sqaron natyrën e emergjencës dhe Kryeministri e miraton një kërkesë të tillë (Neni 33 i Rregullores së Punës së Qeverisë).

Në rastin e Projektligjit për Amnisti, i cili është propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe aprovuar nga Qeveria e Kosovës më datë 25 qershor 2013, KCSF e as opinioni i gjerë publik nuk janë informuar se është zbatuar ndonjëra nga procedurat e mësipërme, dhe si rrjedhojë konstaton që asnjëra nga obligimet e mësipërme nuk janë respektuar.

Gjatë prezantimit të këtij Projektligji në takimin e Qeverisë të datës 25 qershor 2013, Ministri i Drejtësisë z. Hajredin Kuçi ka shprehur gatishmërinë që “në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të marrë pjesë në sqarime publike dhe me grupet parlamentare të partive politike në Kuvendin e Kosovës veç e veç”. Përveç zhgënjimit që kjo gatishmëri deklarative nuk është zbatuar në praktikë, KCSF shpreh brengën e thellë që kjo gatishmëri është shprehur vetëm pasi që Projektligji për Amnisti është miratuar nga Qeveria, e jo gjatë fazës së hartimit të tij – ashtu siç kërkohet nga Rregullorja e Punës e Qeverisë. KCSF thekson që edhe po të ndodhte, “sqarimi publik” i tillë do të mund të konsiderohej vetëm si përmbushje e obligimit për informim publik, e asesi si ndonjë formë e konsultimit publik.

Edhe po të trajtohej Projektligji për Amnisti në kuadër të procedurës për raste të jashtëzakonshme, përveç që procedura e tillë nuk është respektuar, KCSF vlerëson që ky Projektligj nuk përmban asnjë element i cili do të mund të konsiderohej si emergjencë shtetërore ose shmangie të rrezikut nga publiku.

Në këtë kuadër, KCSF shpreh shqetësimin e keqpërdorimit të vazhdueshëm të kësaj procedure nga ana e Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, dhe atë zakonisht në rastet kur bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme përqytetarë. Kjo tendencë është në kundërshtim të plotë me dokumentet e ndryshme normative dhe strategjike të miratuara nga vet Qeveria së fundmi, si dhe deklaratat e vazhdueshme për hapje të Qeverisë ndaj qytetarëve dhe bashkëpunim në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile. Me këtë qasje, Qeveria rrezikon gjithë sistemin e vendim-marrjes demokratike i cili synon që të ndërtohet në vend dhe rendin juridik për të cilin angazhohen të gjitha grupet politike dhe qytetare në Republikën e Kosovës.

Konsultimi publik nuk është thjesht vetëm një obligim kushtetues dhe ligjor, por mjet themelor i demokracisë dhe i domosdoshëm për reflektimin e interesave të qytetarëve në politikat publike dhe ligjet që hartohen nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Mungesa e konsultimit të duhur publik ka për pasojë politika dhe ligje të cilat nuk i adresojnë si duhet nevojat dhe interesat e qytetarëve, e shpesh herë edhe i cenojnë seriozisht ato. Përmbajtja e Projektligjit për Amnisti është ilustrim shumë i qartë i pasojave të tilla.

Për këto arsye, KCSF i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që Projektligjin për Amnisti t’ia kthejë Qeverisë,duke kërkuar nga ajo që të respektojë të gjitha procedurat ligjore të hartimit të ligjeve, e sidomos obligimet për konsultim publik. Në të kundërtën, Kuvendi i Kosovës do të legjitimonte shkeljet kushtetuese dhe ligjore në rastin e Projektligjit për Amnisti, duke rrezikuar seriozisht interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët ky Kuvend është i thirrur t’i përfaqësojë.