CILI ISHTE ROLI I SHOQËRISË CIVILE NË LIGJIN E RI PËR KONTROLLIN E DUHANIT

Që nga paslufta shoqëria kosovare ka bërë përpjeke që të miratojë politika dhe ligje në përputhje me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Edhe pse parlamenti ka përmbushur detyrat e tij për miratimin e legjislacionit, ky legjislacion në praktikë asnjëherë nuk është zbatuar plotësisht. Në mesin e këtij legjislacioni ishte edhe Ligji për Duhanin i miratuar në vitin 2007 i cili ka synuar të rregullojë importin, prodhimin, reklamimin dhe të kufizojë përdorimin e duhanit në vendet publike.

Organizata KADC ka qenë dhe është e angazhuar aktivisht në ndryshimin dhe reformimin e politikave për mbrojtjen e shëndetit publik me theks të veçantë në politikat për kontrollin e duhanit dhe zbatimin e tyre. Ndikimi i drejtpërdrejtë i këtij angazhimi është ndryshimi i sjelljes së autoriteteve përgjegjëse dhe ndryshimi i kulturës së qytetarëve të Kosovës karshi duhan-pirjes.

Procesi

Iniciativa për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për duhanin për mbrojtjen efikase të shëndetit publik ka ardhur si rezultat i moszbatimit të ligjit. Ligji paraprak ka lejuar interpretime të shumëfishta,  dykuptimësi, nuk ka definuar qartë përgjegjësitë dhe kompetencat e organeve ekzekutuese dhe krejt kjo ka çuar në dështim të zbatimit.

Ndarja e hapësirës në 70% ndalim dhe 30% lejim të pirjes së duhanit është dëshmuar si masë joefektive e cila nuk ka dhënë rezultatet e pritura për shkak të manipulimit të vazhdueshëm me hapësirën për ndalim/lejim të pirjes së duhanit.

Ligji paraprak nuk ka qenë në harmoni me Konventën Kornizë për kontrollin e duhanit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e cila shërben si udhërrëfyes për hartimin e politikave efektive për kontrollin e duhanit te bazuara në të dhëna empirike shkencërisht të vërtetuara.

Për të rritur pjesëmarrjen qytetare dhe për të koordinuar përpjekjet e përbashkëta drejt një mjedisi pa tym duhani, KADC ka iniciuar themelimin e një koalicioni të gjerë anti-duhan (ATC) i përbërë nga institucionet qeveritare dhe jo-qeveritare si Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, OBSH , UNICEF, Inspektorati Sanitar, Ministria e Arsimit dhe organizata të profesionistëve shëndetësor dhe shoqërisë civile. Formimi i koalicionit në shtator 2011 shënon edhe fillimin e nismës për ndryshimin e Ligjit për Duhanin.

Ndikimi i KADC-se në procesin e politik bërjes nuk do të ishte frytdhënës nëse KADC nuk do të kishte arritur të ndërlidh aktorët e duhur në mesin e palëve të interesit, të cilët pikësëpari kanë pasur nevojë, kanë dashur, kanë mbështetur dhe kanë vlerësuar ekspertizën e KADC-së në politikat e kontrollit të duhanit. Përmes kësaj mënyre të avokimit proaktiv, KADC ka arritur të sigurojë mbështetjen e Ministrit të Shëndetësisë për inicimin e ndryshimit të Ligjit për duhanin.

Faktori bosht i suksesit të KADC-së si përfaqësuese e shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes së shëndetit publik ka qenë dedikimi, qasja këmbëngulëse dhe proaktive gjatë tërë procesit duke filluar që nga inicimi për ndryshimin e ligjit, hartimi, miratimi e deri te zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit.

Disa nga ndryshimet esenciale të cilat sigurojnë zbatim efektiv të ligjit janë:

  • Forcimi i gjuhës juridike në vijë me gjuhën e përdorur ndërkombëtarisht të politikave për kontrollin e duhanit;
  • Përkufizimi i qartë i detyrave dhe përgjegjësive të organeve mbikëqyrëse të zbatimit të ligjit;
  • Ndalimi 100% i pirjes së duhanit në vende publike, vendet e punës, transportin publik;
  • Futja e nocionit “personi përgjegjës” dhe përcaktimi i detyrave të personit përgjegjës për të lehtësuar zbatimin e ligjit;
  • Ndalimet gjithëpërfshirëse të reklamimit të duhanit, promovimit dhe sponzorimit, përfshirë ndalimin e shfaqjes me pakicë të duhanit;
  • Mbrojtja e politikave të kontrollit të duhanit nga interesat komerciale dhe interesat e tjera të industrisë së duhanit (kufizimi i ndërveprimit mes qeverisë dhe industrisë së duhanit).

Gjatë procesit të ndryshimit të ligjit, industria e duhanit ka qenë shumë aktive në mbrojtjen e interesave të saj dhe është përpjekur që drejtpërdrejtë të ndikojë në vendimin e deputeteve të parlamentit.

Si përgjigje ndaj këtyre përpjekjeve, KADC përpilon dhe dorëzon secilit deputet një dokument me “21 argumente” i bazuar në faktet shkencore i cili hedh poshtë përpjekjet e industrisë dhe zbardh interesat e tyre të fshehura komerciale për të miratuar një ligj të dobët dhe jofunksional.

Në prag të leximit të dytë të projektligjit në Parlamentin e Kosovës, KADC arrin të mobilizojë shoqërinë civile duke hartuar deklaratën që mbështetet nga 56 organizata jo qeveritare me të cilën u bëhet “thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të miratojnë Projekligjin për Kontrollin e Duhanit pa vonesa, duke konsideruar se është një dokument gjithëpërfshirës dhe siguron mbrojtje efektive të shëndetit për të gjithë qytetarët”.

Pas miratimit të Ligjit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës u shënua një hap i rëndësishëm në përparimin e kornizës ligjore por edhe një moment kritik ishte dekretimi i ligjit nga Presidentja e Republikës së Kosovës e cila kishte dhënë shenja të hezitimit. Në emër të Koalicionit Anti-Duhan, KADC i dërgon letër dhe kërkon nga Presidentja që të nënshkruaj Ligjin për Kontrollin e Duhanit duke i qëndruar besnik zotimit të saj për mbrojtjen e interesit të përgjithshëm para interesit individual.

Pas dekretimit, Ligji për kontrollin e duhanit hyn në fuqi me 22 maj 2013.

Përfundimi

Një nga faktorët kryesorë që çuan në suksesin e projektit ishte komunikimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur me të gjithë partnerët dhe në veçanti me Ministrinë e Shëndetësisë si sponsor i projektligjit. Qasja konstruktive dhe mbështetëse e KADC-së për Ministrinë e Shëndetësisë dhe partnerët e tjerë ishte thelbësore. Përveç kësaj, në secilin partner ishte dikush i cili ishte i përfshirë personalisht dhe i gatshëm për të kontribuar në çdo kohë.

Në vitet në vijim, gjenerimi i mbështetjes së publikut do të jetë esencial për të siguruar suksesin e Ligjit për kontrollin e duhanit. Kjo do të kërkojë një mobilizim të opinionit publik dhe medieve, në mënyrë që njerëzit të jenë përkrahës dhe të gatshëm për të pranuar ndryshimin. E kaluara ka treguar se nuk është e mjaftueshme që njerëzit vetëm të jenë të vetëdijshëm për dëmet që shkakton pirja dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit, por ata duhet gjithashtu të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e zbatimit të politikave të kontrollit të duhanit për mbrojtjen e shëndetit të tyre. Ky është një shans unik për të gjithë qytetarët që të krijojnë një kulturë të respektimit të ligjit dhe të kalojnë nga një shoqërie duhanpirëse në një shoqëri jo-duhanpirëse.


Ky artikull është shkruar nga KADC ekskluzivisht për Buletinin e KCSF-së. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi e KADC-së.