APROVOHET STRATEGJIA QEVERITARE PËR BASHKËPUNIM ME SHOQËRI CIVILE

Më 5 korrik 2013 Qeveria e Kosovës miratoi Strategjinë e parë përbashkëpunim me shoqërinë civile për periudhën 2013-2017. Një grup punues i përbërë nga përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile, të cilët filluan punën për këtë strategji qysh në shtator 2011, kanë përfunduar draftin përfundimtar të strategjisë dhe planin e veprimit në maj 2013. Me këtë strategji u caktuan 4 objektiva strategjikë, të cilat Qeveria e Kosovës është zotuar për t’i ndërmarrë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit me sektorin e shoqërisë civile.

Objektivat strategjike që synohet të arrihen brenda periudhës 2013-2017 janë:

  • Objektivi Strategjik 1: Pjesëmarrje e siguruar dhe e fuqizuar e shoqërisë civile në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit;
  • Objektivi Strategjik 2: Sistem i ndërtuar i kontraktimit të shërbimeve publike për organizatat e shoqërisë civile;
  • Objektivi Strategjik 3: Sistem i ndërtuar dhe kritere të përcaktuara për përkrahje financiare për OshC;
  • Objektivi Strategjik 4: Nxitja e qasjes së integruar në zhvillimin e vullnetarizmit.

Procesi i hartimit të Strategjisë ka qenë gjithëpërfshirës qoftë në aspektin e përshirjes së shoqërisë civile po ashtu edhe të institucioneve të ndryshme publike. Organizatat e shoqërisë civile, të organizuara në Platformën CiviKos, kanë pasur një rol qendror në nismën dhe përmbajtjen e kësaj Strategjie.

Në këtë kuadër, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, që nga fazat e para të procesit, ka ofruar përkrahje të gjithë anshme financiare, teknike përmbajtësore, për Platformën CiviKos si dhe grupin punues të hartimit të Strategjisë.

Më poshtë mund të shkarkoni Strategjinë qeveritare për bashkëpunim me shoqëri civile, Planin e veprimit dhe Vendimin e qeverisë për aprovimin e Strategjisë.