Anëtarët e Ekipit për Vlerësim të Granteve (EVG) zgjidhen nga një grup i vlerësuesve i krijuar dhe i mirëmbajtur nga KCSF-ja. Ekspertët nga Kosova ose rajoni përzgjidhen sipas kritereve në vijim: 1) Njohuria për kontekstin socio-politik në Kosovë dhe procesin e demokratizimit në përgjithësi; 2) Njohuria për shoqërinë civile dhe/ose për fushat që mbulohen nga programi përkatës; 3) Përvoja me projekte të financuara nga donatorët dhe në menaxhimin e ciklit të projekteve; 4) Niveli i lartë i integritetit personal dhe reputacioni i mirë profesional; 5) Asnjë konflikt interesi në lidhje me punën dhe fushëveprimin e programit dhe të KCSF-së; 6) Nuk i përket asnjërës prej kategorive të personave të ekspozuar politikisht sipas përkufizimit të KCSF-së, dhe 7) Flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa njohja e gjuhës serbe është përparësi. Grupi i vlerësuesve do të përditësohet rregullisht, qoftë me përfshirjen e ekspertëve të rinj ose me largimin e atyre që: a) nuk janë më në dispozicion, b) nuk kanë punuar sipas standardeve të pritura, c) nuk i plotësojnë kriteret origjinale mbi të cilat janë përzgjedhur. Informacioni për grupet e vlerësuesve të jashtëm, përfshirë kriteret për përzgjedhjen dhe profilet e tyre individuale, do të jenë publike. Ekipet për Vlerësim të Granteve për thirrje specifike zgjidhen me short nga grupi i vlerësuesve të jashtëm, me klauzola specifike të kontrollit që aplikohet (d.m.th. i njëjti vlerësues nuk mund të jetë pjesë e tri ekipeve të njëpasnjëshme të EVG-së, edhe në rastet kur tërheqja e shortit ka rezultuar me emrin e tij/saj). Synimi i KCSF-së është që të ketë vlerësues që i njohin të tri gjuhët, kur është e mundur; megjithatë, në rastet kur kjo nuk është e mundur, materialet e nevojshme dhe intervistat publike përkthehen.