1. A janë federatat sindikale të kualifikuara për të aplikuar në Thirrjen për Grante të Mesme për Projekte?
Federatat nuk përfshihen në grupin e aplikantëve të kualifikueshëm për grante.
2. A konsiderohet organizata e pranueshme për aplikim nëse qarkullimi vjetor në njërin prej dy viteve të fundit ka qenë afër pragut prej 25,000 euro, por nën të, ndërsa në vitin tjetër e ka tejkaluar këtë prag?
Jo. Sipas kritereve të përcaktuara në thirrje, organizata aplikuese duhet të ketë pasur qarkullim vjetor mbi 25,000 euro në secilin prej dy viteve të fundit. Nëse qarkullimi vjetor në njërin prej viteve ka qenë nën këtë prag, organizata nuk e plotëson kriterin, edhe nëse në vitin tjetër e ka tejkaluar atë.
3. Cilat kategori të të ardhurave përfshihen në llogaritjen e qarkullimit vjetor?
Në llogaritjen e qarkullimit vjetor merren parasysh të gjitha të ardhurat e organizatës.
4. Cili dokument ose zë financiar merret si bazë për verifikimin e qarkullimit vjetor?
Për verifikimin e qarkullimit vjetor merret për bazë Formulari CD i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), sipas të dhënave të deklaruara nga organizata.
5. A lejohet bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare? A mund të bashkëpunojë një OJQ e regjistruar në Kosovë, që i plotëson kriteret e përshtatshmërisë, me një organizatë ndërkombëtare në kuadër të një projekti, duke mbetur organizata aplikuese e vetme dhe përfituesja e grantit?
Udhëzuesi nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare të shoqërisë civile, por nuk përcakton një status të veçantë formal për partnerët e projektit ose bashkëaplikuesit. Organizata ndërkombëtare nuk mund të veprojë si organizata aplikuese apo përfituese e drejtpërdrejtë e grantit. Çdo bashkëpunim i propozuar duhet të sigurojë që organizata aplikuese nga Kosova të ruajë përgjegjësinë për menaxhimin e grantit dhe të jetë në përputhje me kufizimet për nën-grantimin dhe aktivitetet ndërkufitare.
6. A mund të kontraktohet organizata ndërkombëtare për të ofruar shërbime specifike, si ngritja e kapaciteteve, trajnimet ose mbështetja metodologjike, me kostot përkatëse të përfshira në buxhetin e projektit?
Udhëzuesi nuk e përjashton mundësinë e kontraktimit të ofruesve ndërkombëtarë të shërbimeve. Përshtatshmëria varet nga natyra e shërbimeve dhe kushtet e marrëveshjes kontraktuale. Shërbimet duhet të jenë të nevojshme për projektin, ndërsa kostot përkatëse duhet të jenë të arsyeshme, të arsyetuara, të realizuara gjatë periudhës së zbatimit të grantit, të përfshira në buxhetin e miratuar, të gjurmueshme dhe në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi në Kosovë.
Pagesat për shërbime të përcaktuara qartë duhet të dallohen nga transferimi i fondeve për një organizatë tjetër që të menaxhojë ndërhyrjen e saj, pasi nën-grantimi nuk lejohet. Gjithashtu, udhëzuesi përjashton ndërhyrjet në formën e shërbimeve që i ngjajnë asistencës teknike. Ky kufizim lidhet me natyrën e ndërhyrjes së propozuar.
7. A mund të përfshihet organizata ndërkombëtare si partnere pa financim, duke kontribuar me ekspertizë, metodologji dhe përvojë, pa pranuar fonde nga granti?
Udhëzuesi nuk e përjashton mundësinë që një organizatë ndërkombëtare të kontribuojë në projekt me ekspertizë, metodologji dhe përvojë, pa përfituar fonde nga granti. Në raste të tilla, organizata aplikuese nga Kosova duhet të mbetet drejtpërdrejt përgjegjëse për menaxhimin e grantit, ndërsa bashkëpunimi duhet të jetë në përputhje me kërkesat e thirrjes, përfshirë kufizimet gjeografike për aktivitetet e projektit.
8. A mund të aplikojmë tani për Grantin e Mesëm për Projekt, ndërkohë që rezultati i aplikimit tonë për Grantin për Zhvillim Organizativ është ende në pritje? Në rast se po, a duhet organizata të zgjedhë njërin prej dy granteve nëse përzgjidhet për të dy? Konkretisht, a mundet e njëjta organizatë të jetë përfituese njëkohësisht e Grantit për Zhvillim Organizativ dhe e Grantit të Mesëm për Projekt, dhe t’i zbatojë të dy grantet në periudha që mund të mbivendosen?
Ju konfirmojmë se, në kuadër të këtij instrumenti të financimit, është e mundur që e njëjta organizatë të përfitojë njëkohësisht Grantin për Zhvillim Organizativ dhe Grantin e Mesëm për Projekt, si dhe t’i zbatojë të dy grantet në periudhën e njejtë. Kufizimi për aplikim në thirrjen për Grante të Mesme për Projekte vlen vetëm për organizatat që aktualisht janë përfituese të Grantit Institucional.
9. A mund të aplikojë një OJQ e sapothemeluar, e cila ende nuk ka histori financiare dyvjeçare?
KCSF synon të ofrojë mundësi financimi që u përgjigjen nevojave dhe kapaciteteve të organizatave të ndryshme të shoqërisë civile. Në këtë drejtim, thirrja për Grante të Mesme për Projekte është e orientuar drejt organizatave të konsoliduara, me përvojë në zbatimin e projekteve dhe kapacitete të dëshmuara financiare. Për këtë arsye, organizatat e sapothemeluara nuk janë të kualifikueshme për këtë thirrje.