Për ta mbështetur zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023 (SQBShC) dhe për ta rritur pjesëmarrjen e OShC-ve në procesin e zbatimit, CEA, përmes partnerit të saj CiviKos, e ka mbështetur themelimin e Grupeve Tematike të Shoqërisë Civile që do t’i identifikojnë sfidat dhe mangësitë kryesore lidhur me zbatimin e Strategjisë dhe kornizën e përgjithshme ligjore në lidhje me mjedisin mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile.
Përveç kësaj, përmes partnerit të CEA, do të krijohen kanale zyrtare dhe të rregullta të komunikimit me Sekretarët e Përgjithshëm përmes të cilëve CiviKos do të avokoj drejtpërdrejt në çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e SQBShC-së. Poashtu, për të siguruar gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje më të madhe të OShC-ve, CiviKos do të organizojë takime të rregullta me OShC-të nga e tërë Kosova, me qëllim që t’i informojë rreth mundësive të pjesëmarrjes dhe monitorimit të Strategjisë, si dhe për ta përkthyer në një mënyrë të lehtë se si përkon Strategjia me punën e tyre të përditshme dhe si mund të marrin pjesë në zbatimin e saj. Partneri i CEA, CiviKos, do të ketë rol kyç udhëheqës në organizimin e punëtorive me OShC të cilat drejtpërsëdrejti do të kontribuojnë me informata në zhvillimin e Strategjisë së re (SQBShC).
Dhe e fundit, CiviKos do të shërbejë si mbikëqyrës i SQBShC-së duke e monitoruar rregullisht procesin e zbatimit dhe duke ofruar raporte publike me rezultate për progresin e zbatimit të SQBShC-së, si dhe rekomandime se si mund të përmirësohet zbatimi.