KCSF NDEROHET ME “ÇMIMIN VJETOR PËR ARRITJE TË PASOS” PËR VITIN 2014

KCSF është nderuar me “Çmimin vjetor për arritje të PASOS”, për udhëheqjen e nismës së 55 OShC-ve për parandalimin e transformimit të OJQ-ve mikrofinanciare në Kosovë.

Çmimi vjetor është ndarë në Kuvendin e Përgjithshëm të PASOS, më 13 dhjetor 2014, në Varshavë.

KCSF ka nisur dhe udhëhequr një koalicion të 55 organizatave të shoqërisë civile që ka kundërshtuar nismat ligjore të institucioneve kosovare që do ta dëmtonin integritetin e OJQ-ve në Kosovë duke lejuar transformimin e OJQ-ve Mikrofinanciare në shoqëri aksionare. Pas aprovimit të Ligjit për Banka nga Kuvendi i Kosovës, KCSF dhe organizatat përkrahëse kërkuan nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës shqyrtimin e kushtetutshmërisë së dispozitave specifike të këtij ligji. Kërkesa në gjykatë u paraqit nëpërmjet institucionit të Avokatit të Popullit. Në muajin prill 2013, Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të kërkesës së shoqërisë civile, duke i shpallur jo-kushtetuese dispozitat e sfiduara.

Drejtori Ekzekutiv i PASOS, Jeff Lovitt, me rastin e ndarjes së këtij çmimi tha: “Ky është një shembull i shkëlqyer i një organizate e cila e merr nismën për të ruajtur shoqërinë civile autentike, duke treguar se sundimi i ligjit mund të shfrytëzohet për të parandaluar ata të cilët mundohen ta minojnë shoqërinë civile nëpërmjet manovrave ligjore”.

Fituesi i çmimit është përzgjedhur nga një juri tre anëtarëshe e përbërë nga ekspertë të shquar të instituteve hulumtuese ndërkombëtare dhe vendim-marrës me përvoje dhe njohuri në sfidat e politikave me të cilat ballafaqohen demokracitë e reja në Europë dhe Azinë Qendrore. Anëtarët e jurisë janë:

  • Bohdan Krawchenko, Drejtor i Përgjithshëm i Univerzitetit të Azisë Qendrore;
  • Kalman Mizsei, Udhëheqës i Misionit Këshillues të BE-së për Reformën civile të sektorit të sigurisë në Ukrainë dhe Profesor i asociiuar në Univerzitetin e Europës Qendrore në Budapest;
  • Gabriela Svárovská (Dlouhá), ish Drejtore e Departamentit për të drejta të njeriut dhe politika të tranzicionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.

Çmimet e PASOS për institute hulumtuese vlerësojnë punën dhe të arriturat e organizatave anëtare në promovimin e vlerave dhe qëllimeve të PASOS në promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave të një shoqërie të hapur – përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.

Çmimet jepen në dy kategori: “Arritja e vitit” dhe “Publikimi më i mirë i vitit”. Çmimi për publikimin më të mirë të vitit, për vitin 2014, i është ndarë Institutit për Politika Europiane EUROPEUM nga Praga.

PASOS është rrjet i instituteve hulumtuese të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Azisë Qendrore, ndërsa KCSF është anëtare e këtij rrjeti nga viti 2009.