Shkolla për Integrim Europian (www.shkollaeuropiane.org) është një projekt i nisur në vitin 2005 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS (www.kfos.org) dhe i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF (www.kcsfoundation.org). Deri më tani Shkolla për Integrim Europian ka ofruar një program të veçantë të shkollimit mbi historikun, institucionet, kornizën ligjore, procesin e vendimmarrjes, politikat kyçe të BE-së, si dhe kornizën e BE-së për zgjerim drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor me fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë – BE.
Zhvillimet në Bashkimin Europian, hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, nevojat për gazetari hulumtuese nga fusha e BE-së, ngritja e përgjegjësive dhe mundësive në nivelin lokal, programimi dhe zbatimi i Kornizës financiare 2014-2020, si dhe intensifikimi i kësaj agjende në vendin tonë, janë elemente që kanë ndikuar në formatin e ri të Shkollës. Duke filluar nga ky vit, Shkolla do të ofrojë aktivitete në disa nivele, të dizajnuara enkas për grupe specifike varësisht nga interesi dhe niveli i njohurive paraprake. Ndër aktivitetet që do të ofrohen nga Shkolla gjatë vitit 2014 ështe edhe Çmimi për artikullin më të mirë hulumtues-gazetaresk nga fusha e integrimit europian.
Të gjithë gazetarët e interesuar, e që janë të punësur në mediet kosovare, ftohen që të aplikojnë me një shkrim/artikull autorial, të botuar në mediet e shkruara. Për garë do të merren parasysh vetëm reportazhet dhe artikujt hulumtues, derisa do të përjashtohen temat ditore. Temat që do të vlerësohen lart kryesisht kanë të bëjnë me rrugën e Kosovës drejt BE-së, me përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe të standarve të BE-së, me sfidat në nënshkrimin e marrëveshjeve kontraktuale, përfitimi nga programet e komunitetit dhe tema të tjera që lidhen me perspektivën europiane të Kosovës.
Shkrimet e botuara prej 1 prillit deri më 20 tetor 2014 mund të hyjnë në garë. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga 3 anëtarë, gazetarë me përvojë dhe njohës të fushës, do të bëjnë vlerësimin e shkrimeve. Për hir të lehtësimit të procesit të vlerësimit të shkrimeve nga komisioni përzgjedhës, kandidatëve u sugjerohet që të mos e presin afatin e fundit për aplikim. Shpërblimi për fituesin përmban çmimin si mirënjohje dhe një vizitië studimore disaditore në Bruksel.
Afati për aplikim është 1 nëntor 2014.
1. APLIKACIONI
2. KUSHTET E PËRGJITHSHME
Shkrimet e botuara së bashku me formularin e plotësuar duhet të dërgohen në e-mailin info@shkollaeuropiane.org. Po ashtu, aplikacionet duhet dorëzuar në zarf tek adresa:
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF
Rruga “Fazli Grajçevci” 4/a
10 000 Prishtinë
Informata më të hollësishme për ftesën, për aplikime dhe për çmimin mund të merren çdo ditë pune prej orës 9:00 – 16:00, në tel. 038/ 248 – 636, si dhe përmes e-mailit në info@shkollaeuropiane.org