Edhe pesë organizata të shoqërisë civile, ju shtuan sot programit EJA Kosovë, të cilat janë përkrahur përmes Granteve të vogla për projekte, duke përmbyllur kështu ciklin e fundit të këtyre granteve për këtë edicion.
Organizatat: Climate Awareness Association, Reconciliation Empowering Communities, D3 Youth/EcoZ, Instituti Kosovar për Logopedi dhe The Library Project Kosova do të zbatojnë projektet e tyre në komunat: Deçan, Gjakovë, Istog, Klinë, Rahovec, Mitrovicë, Mitrovicë e Veriut, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Kaçanik, Ferizaj, Vushtrri dhe përgjatë muajve në vijim do të synojnë të ndikojnë në krijimin e mundësive të reja për pjesëmarrje më të madhe qytetare rreth çështjeve të ndryshme publike.
Projektet janë të orientuara kah fushat tematike që përfshijnë: adresimin e ndryshimeve klimatike, bashkëpunimin ndëretnik të të rinjve, tranzicionin e drejtë të energjisë, përmirësimin e komunikimit dhe përfshirjen e fëmijëve me vështirësi në të folur si dhe zhvillimin e të kuptuarit të leximit tek fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.
Pas nënshkrimit të kontratave, organizatat e përkrahura patën mundësi të informohen lidhur me procedurat administrative të zbatimit të grantit, në një sesion informues që u mbajt për këtë qëllim.
Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së, i cili përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.