Dialogu Strategjik për Zgjerimin përmbyllet me diskutim mbi ruajtjen e ritmit politik për zgjerimin e BE-së

Sot më 2 tetor në Prishtinë, u përmbyll Dialogu Strategjik për Zgjerimin me diskutimin e punës “Pas momentit gjeopolitik: A mund ta ruajë Evropa ritmin politik për zgjerim?”, ku morën pjesë zyrtarë të ministrive të jashtme, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga disa vende të Evropës dhe Kosova.

Në diskutim kontribuuan: Bianca Fluck nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë, Fiona Gundacker nga Ministria Federale Austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Antoine Michon nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Francës, Matti Nissinen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës dhe Petr Tůma nga Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë.

Si diskutues morën pjesë Stefan Lehne nga Carnegie Europe dhe Lura Limani nga Open Society Foundations, ndërsa sesionin e udhëhoqi Florent Marciacq nga Austro-French Centre for Rapprochement in Europe dhe Ifri.

Diskutimi u përqendrua tek mënyra se si konteksti aktual politik në kryeqytetet evropiane po ndikon në qëndrimet e shteteve ndaj zgjerimit dhe tek mënyrat se si BE-ja mund ta ruajë ritmin politik për këtë proces, ndërkohë që zgjerimi po ndërlidhet gjithnjë e më shumë me debatet për sigurinë, migracionin, reformat institucionale dhe buxhetin e BE-së.

Donika Emini nga Balkan Research Institute e përmbylli sesionin dhe Dialogun treditor.

Përgjatë tri ditëve, programi ndërthuri debat publik, takime institucionale, vizita dhe shkëmbime mes ekspertëve mbi perspektivat evropiane për zgjerimin e BE-së duke u trajtuar ndërlidhja mes gjeopolitikës, sigurisë rajonale dhe tranzicionit energjetik në Ballkanin Perëndimor.

Dialogu Strategjik për Zgjerimin u organizua nga KCSF, Austro-French Centre for Rapprochement in Europe, Balkan Research Institute dhe Ifri – Institut français des relations internationales me mbështetjen e Open Society Foundations Western Balkans, Austrian Embassy Pristina dhe Suedia-Embassy of Sweden in Pristina.

See less