Diskutimi në Prishtinë: Zgjerimi i BE-së kërkon vizion të përbashkët, ndërsa rruga e Kosovës mbetet e lidhur me vullnetin politik të shteteve anëtare 

Rikthimi i zgjerimit në fokus të agjendës evropiane, dallimet mes kryeqyteteve të BE-së për ritmin dhe kushtet e këtij procesi, si dhe implikimet e tyre për Kosovën ishin në fokus të diskutimit të nivelit të lartë “Qëndrimet e kryeqyteteve evropiane ndaj zgjerimit: perspektivat, prioritetet dhe rruga e Kosovës drejt BE-së”. 

Diskutimi mblodhi në Prishtinë, ekspertë nga vende të ndryshme të Evropës, përfaqësues institucionesh, diplomatë e pjesëtarë të shoqërisë civile të cilët diskutuan se si qasjet e shteteve anëtare të BE-së e formësojnë të ardhmen e procesit të zgjerimit dhe se çfarë nënkuptojnë ato për perspektivën evropiane të Kosovës. 

Ngjarja u organizua nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Austro-French Centre for Rapprochement in Europe, Balkan Research Institute dhe French Institute of International Relations. 

Në fjalën hyrëse, Dren Puka, drejtor ekzekutiv i KCSF-së, theksoi se momentumi i ri i zgjerimit pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës po ndryshon edhe logjikën e këtij procesi, ku siguria, përafrimi gjeopolitik dhe gatishmëria politike e shteteve anëtare po marrin peshë krahas reformave. Sipas tij, rasti i Kosovës nxjerr në pah këtë kontradiktë brenda vetë logjikës së zgjerimit, ku ky proces ishte dashur të bazohet në meritë, ndërsa avancimi varet edhe nga vendime politike të shteteve anëtare mbi njohjen e Kosovës dhe konsensusit brendapërbrenda BE-së. 

Jean-François Huchet, ambasador i Francës në Kosovë, u shpreh se zgjerimi është rikthyer në qendër të agjendës strategjike evropiane, por se, përtej konsensusit strategjik, kryeqytetet e BE-së ende kanë dallime rreth ritmit, kushteve dhe metodave se si duhet të zhvillohet zgjerimi i BE-së. Për Francën, zgjerimi duhet të jetë i besueshëm, i bazuar në meritë dhe i shoqëruar me përgatitjen e vetë BE-së për anëtarë të rinj, përmes përshtatjes së institucioneve, politikave dhe buxhetit të saj. Ai vlerësoi hapat e Kosovës, si aplikimi për anëtarësim dhe liberalizimi i vizave, por theksoi se rruga përpara kërkon reforma, sundim të ligjit dhe angazhim të vazhdueshëm në dialog. 

Georg Schnetzer, ambasador i Austrisë në Kosovë, theksoi se zgjerimi është prioritet strategjik për sigurinë dhe autonominë strategjike të Evropës, por se qasja aktuale nuk i përgjigjet urgjencës gjeopolitike. Sipas tij, procesi duhet të ecë më shpejt përmes hapave konkretë, përfshirë vlerësimin e aplikimit të Kosovës nga Komisioni Evropian drejt statusit kandidat, thjeshtimin e procedurave, ku Austria mbështetë votimin me shumicë të cilësuar, dhe shmangien e bllokadave nga çështjet bilaterale, pa kompromis në kriteret dhe reformat themelore. Ai e paraqiti integrimin gradual si mënyrë për përfitime konkrete para anëtarësimit, duke nënvizuar se anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet synimi përfundimtar.  

Kurse Jeton Zulfaj, kryenegociator i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian në fjalën e tij u përqendrua te hendeku mes avancimit të Kosovës në reforma dhe integrim praktik me BE-në, pavarësisht vonesave nga bllokada në Kuvend, dhe ngecjes së aplikimit për anëtarësim, për të cilin, sipas tij, Këshilli ende nuk i ka kërkuar Komisionit opinion. Sipas tij, prioriteti duhet të jetë marrja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave, ndërsa dialogu me Serbinë mund të trajtohet përmes një kapitulli të veçantë gjatë procesit të anëtarësimit, sikurse Kapitulli 35. Ai theksoi se, në kontekstin aktual gjeopolitik, përafrimi i plotë i Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe me vlerat themelore të Unionit duhet të peshojë në vlerësimin e avancimit të saj. 

Ndërkaq gjatë diskutimit në panel, të moderuar nga Florent Marciacq, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Austro-French Centre for Rapprochement in Europe dhe bashkëpunëtor hulumtues në Institut français des relations internationales (Ifri) në Vjenë e Paris, u veçuan disa vlerësime mbi gjendjen dhe të ardhmen e procesit të zgjerimit. 

Në diskutim u theksua se qëndrimet e shteteve anëtare ndaj zgjerimit ndikohen nga mënyra se si secili shtet e interpreton imperativin gjeopolitik, por edhe nga interesat e brendshme, çështjet e sigurisë, kapaciteti absorbues i BE-së dhe vizionet e ndryshme për të ardhmen e vetë BE-së. Paneli theksoi se ekziston mbështetje më e madhe politike për zgjerimin pas luftës në Ukrainë, por jo domosdoshmërisht një kuptim i përbashkët se si dhe deri ku duhet të zgjerohet BE-ja.  

Për rrugën e Kosovës drejt BE-së, kjo nënkupton se momentumi gjeopolitik nuk përkthehet automatikisht në përparim. Pozita e Kosovës varet jo vetëm nga përmbushja e kritereve, por edhe nga kohezioni politik mes shteteve anëtare dhe vendi që Kosova zë në prioritetet e tyre për zgjerimin.  
Në panel u argumentua se rruga evropiane e Kosovës duhet të trajtohet përtej prizmit të dialogut Kosovë–Serbi, ndërsa u përmend edhe mundësia e shfrytëzimit të mekanizmave të integrimit gradual dhe formave të reja të përfshirjes në fusha ku çështja e statusit paraqet më pak kufizime.  

Në panel morën pjesë Donika Emini, drejtore ekzekutive e Balkan Research Institute në Prishtinë dhe hulumtuese në Universitetin e Grazit dhe anëtare e BiEPAG, Ruth Ferrero-Turrión, profesore në Complutense Institute for International  Studies në Madrid, Kai-Olaf Lang, hulumtues i lartë në German Institute for International and  Security Affairs në Berlin, Clotilde Warin, bashkëpunëtore e asociuar shkencore në Institut Jacques Delors dhe drejtore e Programit për Evropën në Eastern Circles në Paris, Doris Wydra, hulumtuese e lartë dhe drejtore  ekzekutive e Salzburg Centre of European Union Studies në Salzburg. 

Ngjarja u mbështet nga Open Society Foundations Western Balkans, Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe Suedia.