1. A kemi të drejtë të aplikojmë si organizatë e re? Në vitin 2025 nuk kemi pasur fonde, por nga viti 2026 jemi të financuar nga institucionet lokale dhe donatorë ndërkombëtarë.
Ju njoftojmë se nuk ka kufizim sa i përket kohëzgjatjes së themelimit të organizatës, dhe as kërkesë për fonde paraprake për të aplikuar në këtë thirrje. Si rrjedhojë, organizatat e sapo themeluara kualifikohen për aplikim, nëse i përmbushin kriteret e tjera të përcaktuara në thirrje.
Për informata më të detajuara mbi kategoritë e OJQ-ve të cilat kualifikohen për aplikim, ju inkurajojmë të konsultoni udhëzuesin për aplikim.
2. Ne jemi një organizatë e sapo themeluar, aktualisht në fazat e hershme të zhvillimit, dhe jemi të interesuar të aplikojmë për Grantin për Zhvillim Organizativ me qëllim të forcimit të sistemeve tona të brendshme dhe dokumentacionit organizativ. Do të vlerësonim nëse mund të na ofroni informata lidhur me formularët e detyrueshëm të aplikimit dhe dokumentet mbështetëse, si dhe çdo udhëzim apo kërkesë shtesë që aplikantët duhet të kenë parasysh gjatë përgatitjes së aplikacionit. Çdo orientim do të ishte shumë i vlefshëm për ekipin tonë.
Ju lutemi referojuni thirrjes së hapur: Grantet për Zhvillim Organizativ, ku mund të gjeni informata të detajuara rreth procesit të aplikimit, kritereve të pranueshmërisë, formularëve të nevojshëm dhe dokumenteve mbështetëse.
Udhëzimet për aplikim janë të përfshira në dokumentin “Udhëzuesi për Aplikim”, i cili është i qasshëm në të njëjtin link.
Ju rekomandojmë ta shqyrtoni me kujdes udhëzuesin, pasi ai përmban të gjitha informatat dhe sqarimet relevante lidhur me procesin e aplikimit.
3. Në rastet kur një pyetje specifikon, për shembull, kufirin prej 6,000 karakteresh, a duhet përgjigjja të jetë afërsisht deri në 6,000 karaktere, pra të mos e tejkalojë këtë numër, apo pritet që përgjigjja të jetë sa më afër këtij kufiri?
Kufiri i përcaktuar paraqet numrin maksimal të karaktereve që mund të përdoren dhe nuk mund të tejkalohet. Ju mund të jepni përgjigje më të shkurtra, për sa kohë që ato adresojnë në mënyrë të qartë dhe të plotë pyetjen përkatëse. Nuk është e domosdoshme që përgjigjja të jetë sa më afër kufirit maksimal të karaktereve.
4. A duhet që kostoja e auditimit të planifikohet dhe përfshihet në buxhetin e projektit nga organizata aplikuese, apo auditimi sigurohet dhe mbulohet veçmas nga KCSF/EJA Kosovë?
Për buxhetet e propozuara me vlerë mbi 5,000 Euro, duhet të përfshihet kostoja e auditimit 800 euro.
5. Sa i përket pagave të stafit, si organizatë e kemi të domosdoshme të kemi një person të buxhetuar në kuadër të këtij granti, i cili do të jetë përgjegjës për implementimin e grantit. A lejohet të buxhetohet kjo pozitë?
Po, lejohet që një anëtar i stafit përgjegjës për koordinimin dhe mbarëvajtjen e grantit për zhvillim organizativ të buxhetohet në kuadër të grantit. Megjithatë, shpenzimet për burime njerëzore, pagat e stafit, së bashku me shpenzimet administrative, nuk duhet ta kalojnë 20% të shumës totale të grantit.
6. Në projektin tonë është paraparë një person përgjegjës për menaxhimin e grantit. A lejohet që, përveç menaxherit të projektit, të angazhohet edhe një asistent i menaxherit me role dhe përgjegjësi të përcaktuara në kuadër të projektit?
Sipas udhëzuesit për aplikim, në seksionin 3. Kualifikueshmëria e Aktiviteteve dhe Shpenzimeve, në kuadër të grantit për zhvillim organizativ mund të mbulohet angazhimi i vetëm një personi përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve të grantit. Prandaj, nuk lejohet angazhimi i një asistenti të menaxherit apo i personelit shtesë për zbatim të grantit.
7. Sa i përket pajisjeve për organizatën, a lejohet blerja e laptopëve, duke qenë se deri tani kemi funksionuar vetëm me burimet tona vetanake? Gjithashtu, a mund të na orientoni se në cilat fusha duhet të fokusohemi si organizatë, apo duhet që vetë të vendosim se çfarë synojmë të arrijmë dhe cilat janë nevojat tona?
Laptopët janë shpenzim i lejueshëm në kuadër të këtij granti. Megjithatë, blerja e tyre duhet të jetë e arsyetuar dhe të dëshmojë se si pajisja e organizatës me laptopë kontribuon në zhvillimin organizativ të saj.
Sa i përket fokusit të organizatës, ne nuk mund të sugjerojmë fusha specifike të intervenimit. Organizata duhet vetë t’i identifikojë dhe qartësojë objektivat dhe nevojat e saj, bazuar në gjendjen aktuale dhe rezultatet e vetëvlerësimit, i cili trajtohet në Kapitullin 5 të formularit të aplikimit.
8. Si organizatë e re, e themeluar në gusht të vitit të kaluar, gjatë procesit të vetëvlerësimit kemi identifikuar nevoja pothuajse në të gjitha fushat. Nëse kemi nevojë për intervenim në shumë fusha, a mund t’i prioritizojmë ato që kanë nevojë më të madhe, edhe pse kemi nevoja në të gjitha fushat? A mund të jetë kjo përjashtuese apo penalizuese?
Prioritetet e intervenimit duhet të përcaktohen nga vetë organizata. Në këtë rast, nevojat dhe prioritetet duhet të identifikohen bazuar në rezultatet e vetëvlerësimit dhe në analizën tuaj se në cilat fusha kjo thirrje dhe ky grant mund të sjellin ndikimin më të madh.
Vetëvlerësimi shërben pikërisht për të ndihmuar organizatën në përcaktimin e prioriteteve. Edhe nëse organizata ka nevoja për përmirësim në shumë fusha, është plotësisht e pranueshme që të identifikohen dhe të adresohen disa fusha prioritare. Kjo nuk ka karakter penalizues apo përjashtues.
9. Cilat dokumente duhet të bashkëngjiten në këtë fazë të aplikimit?
Në këtë fazë të aplikimit, dokumentet e detyrueshme që duhet të ngarkohen në sistemin online janë:
Si dhe duhet të pranohen:
10. Kam qenë anëtar i një partie politike si anëtar i thjeshtë, por tash e më shumë se katër vite nuk jam më anëtar dhe nuk jam i përfshirë në aktivitete politike. Në kohën time private dhe përmes llogarive të mia personale, takoj herë pas here zyrtarë të ndryshëm publikë dhe politikanë, pa pasur ndonjë rol zyrtar apo lidhje politike me ta. Duke marrë parasysh këto rrethana, a hyj në kategorinë e Personave të Ekspozuar Politikisht, PEP?
Bazuar në përshkrimin tuaj, duke qenë që nuk jeni më i përfshirë në aktivitete politike prej më shumë se katër vitesh, nuk konsideroheni si PEP. Gjithashtu, fakti që në kohën tuaj private dhe përmes llogarive tuaja personale takoni herë pas here zyrtarë publikë ose politikanë nuk ju bën automatikisht PEP, për sa kohë që nuk mbani ose nuk keni mbajtur funksione publike të larta apo pozita që konsiderohen PEP bazuar në kriteret e përcaktuara nga KCSF.
Ju sqarojmë se PEP konsiderohen vetëm personat që janë pjesë e strukturës drejtuese dhe menaxheriale të organizatës, ose që ushtrojnë rol vendimmarrës dhe përfaqësues në emër të saj, dhe kanë mbajtur poste publike apo politike në katër 4 vitet e fundit.
Organizata duhet të tregojë kujdes që aktivitetet e saj të mos lidhen me promovimin apo mbështetjen e partive politike, përfshirë edhe përmes kanaleve të saj zyrtare të komunikimit dhe rrjeteve sociale, pavarësisht preferencave apo aktiviteteve individuale të personave të përfshirë.
Megjithatë, për t’u konsideruar për grante të KCSF-së, kualifikueshmëria nuk kufizohet vetëm te statusi PEP. Ju sugjerojmë gjithashtu ta shqyrtoni me kujdes dokumentin mbi Vlerat Themelore, i cili kërkon që organizatat dhe personat e përfshirë në aktivitetet e tyre të veprojnë në përputhje me parimet e transparencës, integritetit, respektimit të të drejtave të njeriut, mosdiskriminimit, vlerave demokratike dhe pjesëmarrjes qytetare.
Ju sugjerojmë që ta konsultoni me kujdes Deklaratën mbi personat e ekspozuar politikisht si dhe Vlerat themelore për përfituesit e granteve, i cili është i qasshëm në informatat për grantin për zhvillim organizativ në faqen e KCSF-së: https://kcsfoundation.org/open-call/grante-zhvillim-organizativ/
11. Nëse jemi përfitues të një granti për vullnetarizëm në kuadër të KCSF-së dhe ende jemi në proces të implementimit të tij, a kemi të drejtë të aplikojmë edhe në thirrjen për grant për zhvillim organizativ?
Po, ju mund të aplikoni për grantin për zhvillim organizativ në kuadër të programit EJA Kosovë, edhe nëse aktualisht jeni përfitues ose jeni në proces të implementimit të një granti për vullnetarizëm të mbështetur nga KCSF.