Pas luftës pati një fluks të madh donatorësh me agjenda të ndryshme që rezultoi në themelimin e shumë OJQ-ve të drejtuara nga donatorët. Mendoj se KCSF-ja luajti një rol vendimtar në këtë kontekst duke ndihmuar rrënjosjen e shoqërisë civile e cila u margjinalizua nga donatorët e mëdhenj. KCSF rriti numrin e organizatave me programe kuptimplote dhe ngriti kapacitetet e tyre, duke mbajtur gjallë një shtresë të rëndësishme të një shoqërie vërtet demokratike. Mendoj se edhe sot, e sidomos tani me rënien e fondeve të donatorëve ndërkombëtarë, janë kryesisht organizatat vendore si KCSF dhe KFOS ato që kontribuojnë në qëndrueshmërinë e organizatave të tjera të shoqërisë civile në Kosovë. Kur fondet e jashtme shterojnë, janë këto fondacione që do të duhet të mbajnë barrën për të ndihmuar organizatat lokale me fonde më të vogla të synuara.