Grantet për zhvillim organizativ

EJA Kosovë (ang. Engagement for Joint Action – Angazhimi për Veprim të Përbashkët) është program i KCSF-së që mbështet nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ndërtimit të kapaciteteve me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve përgjatë tërë punës së shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy qëllimeve kryesore ku:  (a) shoqëria civile shfrytëzon hapësirat për avokim dhe synon krijimin e mundësive/hapësirave të reja për pjesëmarrje të qytetarëve dhe qytetareve në formësimin e çështjeve me interes publik dhe (b) organizatat e shoqërisë civile forcojnë lidhjet me qytetarë dhe përmirësojnë llogaridhënien dhe transparencën ndaj anëtarëve dhe publikut të gjerë. 

Grantet për zhvillim organizativ synojnë të mbështesin a) OJQ të cilat janë të organizuara mirë, kanë një vizion të qartë dhe punojnë sistematikisht për të zbatuar strategjinë e tyre dhe b) OJQ të tjera që nuk janë ende në atë nivel, por kanë drejtim të qartë të zhvillimit të tyre, përfshi qëllimet programore dhe grupet e qytetarëve që i përfaqësojnë ose i synojnë me punën e tyre. Duke ofruar mbështetje të veçantë për zhvillim organizativ, organizatat e synuara do të kenë qasje në fonde enkas të dedikuara për zhvillim afatgjatë të organizatës.

Në veçanti, këto grante synojnë të mbështesin ndërtimin e kapaciteteve të stafit, zhvillimin dhe zbatimin e  sistemeve dhe procedurave të brendshme, zhvillimin e politikave dhe dokumenteve të brendshme, përdorimin e softuerëve dhe pajisjeve ose metodologjive dhe qasjeve specifike të punës.  Ngjashëm me instrumentet tjera të EJA Kosovë, këto grante u mundësojnë organizatave që gjithashtu të adresojnë në mënyrë të vazhdueshme e sistematike përfshirjen e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e qeverisjes së brendshme.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Organizatat joqeveritare vendase (OJQ) të regjistruara në Kosovë të cilat i plotësojnë kriteret e veçanta të kualifikueshmërisë.

KOHËZGJATJA DHE BUXHETI

Organizatat mund të aplikojnë për financim për më së paku 6 muaj dhe më së shumti deri në 14 muaj. Buxheti maksimal që mund të kërkohet për grant nga kjo thirrje është 15.000 EUR.

DORËZIMI I APLIKACIONEVE

Aplikantët duhet të dorëzojnë aplikacionet e plotësuara në eja@kcsfoundation.org. Do të merren parasysh vetëm aplikacionet që përmbushin të gjitha kërkesat e thirrjes të specifikuara në udhëzuesin për aplikim dhe formularin e aplikimit. Afati i fundit për aplikim është 24.03.2022 deri në orën 23:59.

Të gjitha informatat shtesë, përfshirë udhëzuesin dhe format e aplikimit, mund të gjenden në www.kcsfoundation.org. Çfarëdo pyetje që mund të keni për përgatitjen e aplikacionit ose detajeve tjera për aplikim mund të dërgohen me email në ejainfo@kcsfoundation.org.