VIJOJNË TRAJNIMET SPECIFIKE NË MITROVICË ME TEMËN “MENAXHIMI I CIKLIT TË PROJEKTIT”

Më datë 4 dhe 5 mars 2016 u organizua trajnimi me temë “Menaxhimi i ciklit të projektit”. Organizimi i trajnimit u inicua me kërkesë të pesë organizatave që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në Mitrovicë dhe përkrahen nga organizata Danish Refugee Council (DRC), të cilave iu bashkangjitën edhe përfaqësues të 10 organizatave te tjera të përzgjedhura pas thirrjes për aplikim. Ky trajnim u mbajt në vazhdimësi të atij me temë “Planifikimi strategjik dhe ngritja e fonde”.

Gjatë trajnimit dyditor, pjesëmarrësit janë pajisur me njohuritë e nevojshme se si të konceptojmë programin dhe projektet, si dhe janë vënë në dijeni të arsyeve potenciale për dështim të projekteve. Konceptimi i ideve paraprake, elementet kryesore të projekt propozimit, inicimi i projektit dhe procesi i planifikimit janë shtjelluar tutje në kuadër të ditës së parë të trajnimit. Dita e dytë ka vijuar me procesin e planifikimit të projektit me theks në buxhetimin, zbatimin, monitorimin dhe kontrollin. Trajnimi është përmbyllur me rishikimin e mësimeve të fituara nga menaxhimi i projekteve në shekullin XXI. Me përfundimin e pjesës së dytë të trajnimeve të organizuara në kuadër të mekanizmit të trajnimeve specifike të ofruara nga Qendra e KCSF-së, të pranishmëve u janë ndarë certifikatat e kryerjes me sukses të këtyre trajnimeve.

OShC-të/ apo institucionet publike të interesuara për të përfituar nga ky shërbim duhet të shprehin interesimin e tyre në Qendrën e KCSF-së përmes plotësimit të formës elektronike për “trajnime specifike” e cila mund të shkarkohet këtu, apo të merret në zyrat e KCSF-së. Stafi i Qendrës do të përkujdeset për mbledhjen, sistemimin dhe organizimin e trajnimeve bazuar në kërkesat e pranuara.