TRANSPARENCË DHE DISIPLINË MES RREGULLORES PËR FOND PUBLIKE PËR OJQ

Përveç mbështetjes së madhe financiare nga donatorët e huaj, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë përfituar shuma të konsiderueshme të mjeteve financiare edhe nga institucionet publike, të cilat, në masë të madhe janë dhënë pa ndonjë kriter apo procedurë të qartë të aplikimit e financimit. Edhe pse aktualisht organizatat e shoqërisë civile në Kosovë gëzojnë përkrahje të konsiderueshme financiare nga donatorët e huaj (kryesisht nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), kjo përkrahje nuk do të jetë e përhershme dhe me kalimin e kohës pritet të zvogëlohet. Andaj, është tejet e rëndësishme që institucionet publike të kuptojnë dhe njohin rolin e shoqërisë civile si dhe të ndërmarrin veprime konkrete në ndërtimin e mekanizmave formal dhe transparent për financimin e tyre.

Nisur nga këto nevoja, në mes të vitit 2017, u miratua Rregullorja mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve. Arritja e kësaj marrëveshjeje është fryt i një procesi të gjatë konsultimesh ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe Qeverisë së Kosovës, pas analizimit të kufizimeve në formulën e mëparshme të financimit të OJQ-ve nga fondet publike.

KCSF, bashkë me një numër organizatash tjera të shoqërisë civile, gjatë viteve të fundit kanë avokuar për ndërtimin e një sistemi për financim publik të bazuar në rregulla të paracaktuara dhe transparente, ndërsa kanë kontribuar drejtpërdrejt në përcaktimin e modelit të financimit dhe hartimin e aktit ligjor që e rregullon këtë fushë. Paralelisht, KCSF kishte vite që kërkonte publikimin e informatave mbi fondet publike të ndara për OJQ, pavarësisht hartimit të rregullores së re për këtë fushë.

Si rezultat i kësaj kërkese, në mars 2017, Qeveria e Kosovës publikoi raportin e parë për fondet publike për OJQ për vitet 2015 dhe 2016. Sipas raportit të Qeverisë, shuma e përgjithshme e fondeve të transferuara prej buxhetit shtetëror tek OJQ-të gjatë vitit 2016 ishte 13,883,316.78 Euro, me shuma shumë të ngjashme të raportuara edhe për vitin 2015. Pavarësisht që u vlerësua si një hap shumë pozitiv drejt transparencës së financimit publik për OJQ-të, ky raport megjithatë kishte mangësi serioze dhe nuk ofroi një gjendje të saktë të situatës në këtë fushë. Kjo kryesisht për shkak të mungesës së sistemit të duhur për mbajtjen dhe raportimin e të dhënave.

Një analizë e detajuar e këtij raporti të zhvilluar nga KCSF nxjerr në pah në mënyrë të konsiderueshme të dhëna të ndryshme, veçanërisht në lidhje me shumat e përgjithshme. Pas largimit të federatave dhe klubeve sportive nga lista e publikuar, shuma e financimit të OJQ-ve u zvogëlua për rreth 7 milion Euro për dy vite. Pas zvogëlimit të mëtejshëm të shumës me vlerë prej rreth 1 milion Euro të shpërndara tek institucionet publike që në raport ishin listuar gabimisht si OJQ, si dhe shumat që u vlerësuan si pagesa të shërbimeve apo fonde tjera të donatorëve që u kanalizuan përmes institucioneve publike (rreth 9 milion Euro për dy vite), shuma përfundimtare që doli se u ishte ndarë OJQ-ve për dy vite ishte pak më shumë se 10 milion Euro.

Pas një pune të përbashkët dyvjeçare ndërmjet zyrtarëve publikë, shoqërisë civile dhe ekspertëve ndërkombëtarë, e ku KCSF pati një rol shumë aktiv në kuadër të grupit punues, me 13 qershor 2017 u miratua Rregullorja mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve (MF-NR. 04/2017).

Ky dokument shënon një hap të rëndësishëm përpara duke përcaktuar rregullat për mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile përmes fondeve publike, sipas standardeve të transparencës, meritokracisë dhe zbatimit të plotë të ligjeve në fuqi. Në bazë të rregullores, të gjitha organizatat buxhetore në nivel qendror dhe lokal, bazuar në kriteret dhe procedurat e përgjithshme të përcaktuara në të, obligohen që:

  • Të parashohin përkrahjen financiare për Organizata Jo Qeveritare (OJQ) brenda buxhetit vjetor;
  • Të planifikojnë mënyrën dhe fushat e përkrahjes në kuadër të buxhetit të aprovuar;
  • Të shpallin thirrje të hapura, të bazuara në kritere të qarta dhe forma standarde të aplikimit, të shoqëruara me udhëzime të detajuara për aplikim;
  • Të vlerësojnë aplikacionet bazuar në sistem të standardizuar të vlerësimit dhe nëpërmjet Komisioneve Vlerësuese, në përbërje të të cilëve duhet të ketë edhe ekspertë të jashtëm;
  • Të informojnë të gjitha palët e interesuara dhe publikun rreth rezultateve të vlerësimit, organizatave të përkrahura, shumave të financimit, natyrës së projekteve të përkrahura etj.;
  • T’i trajtojnë ankesat eventuale;
  • Të nënshkruajnë kontrata për secilin projekt apo program të përkrahur;
  • T’i monitorojnë projektet dhe programet e përkrahura dhe të mbledhin e analizojnë raportet e pranuara;
  • Të përgatisin raporte vjetore të përkrahjes financiare për OJQ-të me informata të detajuara mbi fushat dhe shumat e përkrahjes, përfituesit, shpërndarjen gjeografike dhe tematike, zbatimin e kritereve dhe procedurave etj.

Rregullorja është e shoqëruar me udhëzues të detajuar të zbatimit, përfshirë formularët dhe materialet tjera të nevojshme për zbatim të njëjtë nga të gjitha institucionet publike.

Rregullimi i fushës së financimit publik të organizatave të shoqërisë civile jo vetëm që parandalon dhënien e fondeve publike pa rregulla e kritere, por në të njëjtën kohë tregon gatishmërinë e shtetit për ndërtim të mekanizmave formal të bashkëpunimit me shoqërinë civile, si dhe njohjen e kontributit të këtij sektori në zhvillim të gjithmbarshëm të vendit.

Duke qenë që kjo rregullore hyri në fuqi vetëm në pjesën e dytë të vitit 2017, gjatë këtij viti zbatimin e saj e filluan vetëm një numër shumë i kufizuar i institucioneve. Përvoja e tyre dëshmoi që përkundër që u vendos një sistem plotësisht të ri për ndarjen e fondeve publike për OJQ, kërkesat dhe procedurat e parapara janë të zbatueshme dhe prodhojnë transparencë, meritokraci dhe gjasa më të mëdha për ndryshime të vërteta nga aktivitetet e financuara.