AKADEMIA FINANCIARE
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) ftojnë të gjitha organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në Akademinë Financiare, një program edukativ i krijuar në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë për të fuqizuar dhe rritur ndikimin e organizatave të shoqërisë civile (OShC) në vend.
PËRSHKRIMI I PROGRAMIT:
Akademia Financiare është program vjetor që synon të rrisë kapacitetet e stafit të OShC-ve dhe të fuqizojë organizatat në planifikim, menaxhim dhe llogaridhënie financiare, duke i mbështetur ato në zhvillimin e sistemeve të brendshme që mundësojnë menaxhim më të përgjegjshëm të burimeve, pajtueshmëri dhe qëndrueshmëri organizative.
Qëllimi i Akademisë është të avancojë kapacitetet financiare dhe të forcojë sistemet e brendshme të menaxhimit të OShC-ve, duke u fokusuar në planifikimin financiar, menaxhimin e riskut, përmbushjen e kërkesave ligjore dhe të donatorëve, si dhe në menaxhimin transparent të burimeve, me synim që organizatat të jenë më të përgatitura për të siguruar dhe menaxhuar fonde, për të zbatuar grantet në mënyrë efektive dhe për të rritur qëndrueshmërinë dhe ndikimin e tyre afatgjatë në komunitetet që u shërbejnë.
Akademia Financiare ofrohet çdo vit për 20–25 OShC-të e përzgjedhura dhe përfshin 3 trajnime (module), të organizuara gjatë 4 ditëve të punës. Programi është zhvilluar duke marrë parasysh nevojat e stafit menaxhues dhe financiar të organizatave. Përmes një qasjeje praktike, programi kombinon njohuritë profesionale, ushtrimet praktike dhe reflektimin mbi praktikat ekzistuese, në mënyrë që njohuritë e përvetësuara të mund të zbatohen drejtpërdrejt në punën e përditshme të organizatave.
OShC-të që përfundojnë me sukses Akademinë Financiare do të kenë mundësi të përfitojnë mentorim nga ekspertë/e të fushës për adresimin e çështjeve specifike, të ndërlidhura me sistemet e planifikimit dhe menaxhimit financiar të organizatës.
Akademia do të ofrojë gjithashtu hapësirë për rrjetëzim, shkëmbim të përvojave dhe bashkëpunim ndërmjet OShC-ve.
Të gjitha trajnimet dhe mentorimi ofrohen pa pagesë për organizatat e përzgjedhura. Po ashtu, për pjesëmarrësit/et nga jashtë Prishtinës do të bëhet edhe kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit.
ÇFARË OFRON PROGRAMI?
Programi i Akademisë Financiare ofron një qasje të strukturuar për forcimin e sistemeve dhe praktikave të menaxhimit financiar në organizatat e shoqërisë civile, duke u mundësuar pjesëmarrësve/eve të thellojnë njohuritë e tyre dhe të identifikojnë praktika dhe procese që mund të përshtaten dhe të zbatohen drejtpërdrejt në organizatat e tyre.
Programi është i strukturuar në tri module, secili me fokus të veçantë në:
- Moduli 1: Planifikimi financiar dhe menaxhimi i riskut
- Planifikimi financiar (Dita 1)
- Planifikimi strategjik financiar dhe menaxhimi i riskut (Dita 2)
- Moduli 2: Prokurimi dhe kontrolli i brendshëm
- Moduli 3: Raportimi financiar dhe llogaridhënia
ÇFARË DO TË PËRFITOJNË PJESËMARRËSIT:
Pas përfundimit të Akademisë Financiare, pjesëmarrësit/et pritet të jenë në gjendje:
- – Të kuptojnë rëndësinë e qeverisjes dhe menaxhimit financiar për transparencën, llogaridhënien dhe përdorimin e përgjegjshëm të burimeve financiare.
- – Të kuptojnë procesin e planifikimit financiar dhe hartojnë drafte fillestare të planeve financiare dhe buxheteve organizative, duke përdorur metoda bazë të planifikimit, parashikimit dhe monitorimit financiar.
- – Të kuptojnë rëndësinë e kontrollit të brendshëm, menaxhimit të riskut dhe prokurimit, si mekanizma që ndihmojnë organizatat të menaxhojnë burimet në mënyrë të strukturuar dhe të përgjegjshme.
- – Të identifikojnë elementet kryesore të raportimit financiar dhe pajtueshmërisë, përfshirë kërkesat ligjore, fiskale dhe të donatorëve, si dhe rëndësinë e dokumentimit të saktë financiar.
- – Të rrisin transparencën dhe llogaridhënien ndaj komuniteteve që përfaqësojnë dhe publikut, përmes komunikimit të qartë dhe të kuptueshëm të informatave financiare.
- – Të zbatojnë njohuritë dhe shabllonet e ofruara gjatë programit për të analizuar dhe reflektuar mbi praktikat ekzistuese të organizatës dhe për të identifikuar hapa konkretë për forcimin e qëndrueshmërisë financiare, diversifikimin e burimeve dhe ndikimin afatgjatë.
Përgjatë pjesëmarrjes në Akademi, dhe pas përfundimit pjesëmarrësit/et do të kenë mundësi që të përfitojnë:
- – Mentorim dhe këshillim të vazhdueshëm nga ekspertë/e të fushës, si mbështetje e përshtatur sipas nevojave dhe interesimit të organizatave, me fokus në adresimin e çështjeve specifike financiare, përmirësimin e praktikave të brendshme të menaxhimit financiar dhe zhvillimin e planeve financiare më efektive.
- – Rrjetëzim dhe shkëmbim përvojash me organizata të tjera të shoqërisë civile mbi praktikat e menaxhimit financiar, si dhe bashkëpunim dhe adresim të çështjeve me interes të përbashkët.
MËNYRA E APLIKIMIT:
Të drejtë aplikimi kanë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë. Secila OShC mund të propozojë 1 deri në 3 anëtarë të stafit bazuar në përgjegjësitë e tyre menaxhuese dhe financiare brenda organizatës për të marrë pjesë në modulet e Akademisë.
Aplikantët duhet të japin informatat e tyre, duke plotësuar formularin përmes sistemit të aplikimit online.
KRITERET E PËRZGJEDHJES:
- – Është Organizatë e Shoqërisë Civile, e regjistruar në Kosovë;
- – Është Organizatë e Shoqërisë Civile që vepron në nivel lokal;
- – Aplikacioni është i plotësuar tërësisht dhe ofron përgjigje të plota për të gjitha pyetjet;
- – Dëshmon angazhim në komunitet dhe/ose interesim për përfshirjen e qytetarëve/eve në punën e organizatës;
- – Organizata ka identifikuar nevojën për përmirësimin e proceseve të menaxhimit financiar, raportimit dhe transparencës, duke ofruar dëshmi për sfidat në menaxhimin financiar, paqartësitë në raportimin financiar apo mungesën e proceseve të strukturuara për buxhetim dhe raportim;
- – Organizata tregon se ka vullnet për zhvillim të kapaciteteve, bazuar në nevojat e identifikuara.
Vetëm OShC-të e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit. Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile, në bashkëpunim të ngushtë me OShC-të e përzgjedhura do të bëjë edhe caktimin e anëtarëve pjesëmarrës në secilin modul.
Pas përfundimit të Akademisë, nga pjesëmarrësit/et pritet të zbatojnë aftësitë e fituara dhe të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat brenda organizatave të tyre.
Në përfundim të programit, secila OShC pjesëmarrëse do të pajiset me certifikatë të pjesëmarrjes, që vërteton përfundimin me sukses të moduleve të programit të trajnimit.
DORËZIMI I APLIKACIONEVE:
OShC-të e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin përmes sistemit të aplikimit online.
Për udhëzime rreth regjistrimit dhe përdorimit të sistemit online të aplikimit, ju lutemi referojuni informatave që mund t’i gjeni në faqen e internetit të sistemit online të aplikimit.
Vetëm aplikacionet që përmbushin të gjitha kërkesat e specifikuara në këtë thirrje dhe formular të aplikimit do të merren parasysh.
Afati i fundit për aplikim është 10 shtator 2026, ora 23:59.
Të gjitha pyetjet ose kërkesat për informata shtesë që keni në lidhje me Akademinë Financiare ose me procesin e aplikimit, mund t’i dërgoni përmes postës elektronike në rc-kosovo@kcsfoundation.org.
Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimit Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.