Thirrje për aplikim: Programi për gratë në udhëheqje

PROGRAMI TRAJNUES PËR GRATË NË UDHËHEQJE

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM), ftojnë gratë e angazhuara në organizatat e shoqërisë civile të aplikojnë në Programin për Gratë në Udhëheqje, një program edukativ i krijuar në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë për të fuqizuar rolin udhëheqës të grave dhe për të rritur ndikimin e organizatave të shoqërisë civile (OShC) në vend.

PËRSHKRIMI I PROGRAMIT

Ky program trajnues synon të fuqizojë kapacitetet udhëheqëse të grave në pozita të nivelit të mesëm dhe të lartë në OShC, duke i mbështetur në përcaktimin e vizionit dhe drejtimit profesional, në komunikimin dhe ndikimin efektiv, si dhe në udhëheqjen e ekipeve dhe avancimin e një kulture organizative gjithëpërfshirëse.

Programi është konceptuar si një rrugëtim zhvillimor në tri etapa të ndërlidhura: përcaktimi i vizionit dhe drejtimit personal e profesional; forcimi i komunikimit, përfaqësimit dhe ndikimit dhe shndërrimi i ndikimit individual në udhëheqje të ekipeve dhe në praktika organizative gjithëpërfshirëse. Programi trajton gjithashtu pengesat dhe paragjykimet gjinore që mund të ndikojnë në avancimin dhe ndikimin e grave.

Programi ofrohet për rreth 20-25 gra të përzgjedhura dhe përfshin 3 module njëditore, të cilat do të mbahen më 1, 8 dhe 15 dhjetor 2026, nga ora 09:00 deri në 16:00. Përmes një qasjeje interaktive dhe praktike, programi kombinon prezantime të shkurtra, reflektim profesional, diskutime, raste praktike, ushtrime në grupe, simulime dhe mjete konkrete, në mënyrë që njohuritë e përvetësuara të mund të zbatohen drejtpërdrejt në punën e përditshme.

Programi do të shërbejë gjithashtu si hapësirë për rrjetëzim, shkëmbim të përvojave dhe mbështetje të ndërsjellë ndërmjet grave që udhëheqin në shoqërinë civile.

I gjithë programi ofrohet falas për pjesëmarrëset e përzgjedhura. Gjithashtu, shpenzimet e udhëtimit do të rimbursohen për pjesëmarrëset nga jashtë Prishtinës.

ÇKA OFRON PROGRAMI?

Ky program trajnues ofron një qasje të strukturuar për zhvillimin e aftësive udhëheqëse, duke u mundësuar pjesëmarrëseve të reflektojnë mbi përvojën dhe synimet e tyre, të praktikojnë aftësi të reja dhe të hartojnë hapa konkretë për zbatim në punën dhe organizatat e tyre.

Programi është i strukturuar në tri module, secili me fokus specifik:

  • Moduli 1: Udhëheqja me vizion dhe planifikimi i karrierës
  • Moduli 2: Të folurit para publikut dhe komunikimi me ndikim
  • Moduli 3: Udhëheqja e ekipeve dhe ndërtimi i një kulture pune gjithëpërfshirëse

ÇKA DO TË FITOJNË PJESËMARRËSET:

Pas përfundimit të programit, pjesëmarrëset pritet të jenë në gjendje:

  • Të përcaktojnë vizionin dhe synimet e tyre profesionale, duke u mbështetur në përvojën, kompetencat, vlerat dhe potencialin e tyre udhëheqës.
  • Të përdorin mjete për planifikimin e karrierës, menaxhimin e prioriteteve, kohës dhe angazhimit profesional.
  • Të përdorin qasje dhe mjete praktike për komunikim me ndikim, prezantim para publikut, përfaqësim profesional dhe ndërtim të marrëdhënieve e rrjeteve profesionale.
  • Të udhëheqin dhe zhvillojnë ekipe përmes besimit, bashkëpunimit, përgjegjësisë së përbashkët, inteligjencës emocionale dhe vendimmarrjes gjithëpërfshirëse.
  • Të identifikojnë mundësi për të avancuar pjesëmarrjen dhe ndikimin e grave në organizatat e tyre, duke adresuar pengesat dhe paragjykimet gjinore.
  • Të finalizojnë planin individual të karrierës dhe udhëheqjes.

Përgjatë pjesëmarrjes në trajnim dhe pas përfundimit, pjesëmarrëset do të kenë mundësi të përfitojnë:

  • Mjete dhe materiale praktike, përfshirë fletë pune, udhëzues dhe modele për planifikimin e karrierës, komunikimin dhe udhëheqjen e ekipeve.
  • Mentorim dhe mbështetje të mëtejshme sipas interesave dhe nevojave të identifikuara së bashku me KCSF-në.
  • Rrjetëzim dhe shkëmbim të përvojave me gra të tjera që udhëheqin në shoqërinë civile, si dhe mundësi për bashkëpunim.

MËNYRA E APLIKIMIT

Të drejtë aplikimi kanë gratë që punojnë në organizata të shoqërisë civile të regjistruara dhe që veprojnë në Kosovë. Aplikimi bëhet individualisht nga secila aplikante.

Aplikantet duhet t’i ofrojnë informatat e tyre duke plotësuar formularin përmes sistemit të aplikimit online.

KRITERET E APLIKIMIT

  • Të jetë e angazhuar në një organizatë të shoqërisë civile të regjistruar në Kosovë;
  • Të ketë pozitë të nivelit të mesëm ose të lartë, me përgjegjësi menaxhuese, koordinuese ose udhëheqëse;
  • Aplikacioni të jetë i plotësuar në tërësi dhe të ofrojë përgjigje të plota në të gjitha pyetjet;
  • Të demonstrojë motivim dhe interes të qartë për zhvillim profesional dhe udhëheqës, si dhe për të zbatuar njohuritë e fituara në organizatë;
  • Të zotohet të marrë pjesë në të tri modulet e programit.

Gjatë përzgjedhjes do të synohet përfaqësimi i grave nga komunitete etnike dhe rajone të ndryshme të Kosovës.

*Vetëm kandidatet e përzgjedhura do të kontaktohen përmes e-mailit.*

Pas përfundimit të programit trajnues pjesëmarrëset pritet të zbatojnë aftësitë e fituara dhe të ndajnë njohuritë dhe përvojat brenda organizatave të tyre.

Në fund të programit, secila pjesëmarrëse do të pajiset me certifikatë të pjesëmarrjes, që vërteton përfundimin me sukses të moduleve të trajnimit.

DORËZIMI I APLIKACIONEVE

Kandidatet e interesuara duhet të plotësojnë aplikacionin përmes sistemit të aplikimit online.

Për udhëzime rreth regjistrimit dhe përdorimit të sistemit online të aplikimit, ju lutemi referojuni informatave që mund t’i gjeni në faqen e internetit të sistemit online të aplikimit. 

Vetëm aplikacionet që përmbushin të gjitha kërkesat e specifikuara në këtë thirrje dhe formular të aplikimit do të merren parasysh.

Afati i fundit për aplikim është 23 nëntor 2026, ora 16:00.

Të gjitha pyetjet apo informatat shtesë në lidhje me këtë program trajnues ose procesin e aplikimit mund t’i dërgoni përmes e-mailit në rc-kosovo@kcsfoundation.org.

Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.