Thirrje për aplikim në trajnimin dyditor “Përdorimi i mjeteve digjitale në punën e OShC-ve”

Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë organizon trajnimin e radhës mbi përdorimin e mjeteve digjitale në punën e Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC).

Trajnimi “Përdorimi i mjeteve digjitale në punën e OShC-ve”, ka qëllim që të ofrojë informata praktike dhe të zhvilloj aftësitë e nevojshme në përdorimin e mjeteve dhe platformave digjitale, të disponueshme, me qëllim të përmirësimit të komunikimit, bashkëpunimit dhe rritjes së efikasitetit të përgjithshëm të punës së organizatave.

Kur dhe ku mbahet trajnimi?

Datat: 31 korrik dhe 1 gusht 2024

Koha: 09:00-15:30

Vendi: Salla e trajnimeve në KCSF – lokacioni, kliko këtu

Çfarë do të mësoni në këtë trajnim?

Ky trajnim do të fokusohet ndër të tjera në përdorimin e teknologjive digjitale më të përdorura në sektorin e OShC-ve, që do t’ju ndihmojnë në punën tuaj të përditshme, përfshirë: 

  • Komunikimin e brendshëm, bashkëpunimin profesional, koordinimin dhe menaxhimin e projekteve;
  • Organizimin dhe mbajtjen e ngjarjeve online (seminare, trajnime, konferenca, etj.);
  • Arritjen deri tek audiencat e synuara duke promovuar më mirë profilin dhe portofolin e punës së organizatës;
  • Forcimin e transparencës;
  • Nxitjen e inovacionit;
  • Mundësitë për zhvillim të vazhdueshëm të punonjësve dhe kulturës organizative.

Çfarë përfitoni nga pjesëmarrja në këtë trajnim?

Duke marrë pjesë në këtë trajnim, ju do të:

  • Njiheni me mjetet dhe platformat digjitale të disponueshme për përdorim në punën e OShC-ve.
  • Mësoni se si t’i përdorni këto mjete dhe platforma në mënyrë efektive për të rritur efikasitetin e punës dhe për të arritur objektivat e organizatës suaj.
  • Angazhoheni në mundësitë e rrjetëzimit me përfaqësues të tjerë të OShC-ve dhe shkëmbeni praktikat më të mira.
  • Përfitoni nga përvoja praktike përmes demonstrimeve për përdorimin e disa nga mjetet e diskutuara gjatë trajnimit.

Si të aplikoni?

Për të marrë pjesë në trajnim, ju ftojmë të regjistroheni përmes formës së aplikimit, të cilën mund ta gjeni duke klikuar në vegëzën në vijim: Forma e aplikimit.

Ju lusim që formularin e aplikimit ta plotësoni më së largu deri me datën 25 korrik 2024, ora 16:00.

Kjo do të na ndihmojë të vlerësojmë nivelin e interesimit dhe të bëjmë përgatitjet e nevojshme.

Për të optimizuar përvojën e të mësuarit për çdo pjesëmarrës, është vendosur një limit maksimal i numrit të pjesëmarrësve. Nëse numri i aplikantëve tejkalon parashikimet tona fillestare, do të shqyrtojmë mundësinë e caktimit të sesioneve të trajnimit shtesë në data alternative.

Për çfarëdo informacioni shtesë na kontaktoni në: rc-kosovo@kcsfoundation.org