Rreth 20 përfaqësues/e të shoqërisë civile morën pjesë në trajnimin dyditor mbi qeverisjen e brendshme të OShC-ve dhe menaxhimin financiar, ku u adresuan shumë çështje që do tu ndihmojnë pjesëmarrësve në qeverisje të brendshme efektive dhe menaxhim të qëndrueshëm financiar për organizatat e tyre.
Trajnimi pati në fokus shtjellimin e parimeve të qeverisjes së mirë, strukturat organizative si dhe përdorimin e dokumenteve, sistemeve dhe procedurave si bazë për një qeverisje efektive. Po ashtu u trajtuan praktikat më të mira për menaxhimin, buxhetimin, kontabilitetin, raportimin financiar dhe pajtueshmërinë me kërkesat ligjore dhe tatimore.
Përgjatë dy ditëve, pjesëmarrësit/et patën mundësi të thellojnë njohuritë e tyre edhe sa i përket administrimit efektiv të resurseve me qëllim të përmirësimit të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së organizatave të tyre në sytë e donatorëve dhe partnerëve.
Ky trajnim u organizua nga Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, projekt ky që bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).